Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme deklaroi sot se drejtësia duhet të vihet në vend pa vonesa dhe justifikime për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku një vit më parë nga sulmi terrorist i grupit të armatosur serb në Banjskë.

“Duke kujtuar me nderim, sakrificën e Afrim Bunjakut, Shqipëria mbështet Kosovën në përpjekjet dhe arritjet e saj, për vendosjen e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e vendit. Është e papranueshme që autorët përgjegjës të këtij krimi mbeten ende të lirë”, thekson MEPJ në një postim në rrjetet sociale.

MEPJ shprehet se “Shqipëria mirëpret vendimin e Prokurorisë së Kosovës, për të ngritur aktakuzë kundër të dyshuarve për organizim dhe kryerje të këtij sulmi brutal. Llogaridhënia është element kyç për parandalimin e përshkallëzimeve dhe konsolidimin e paqes në të gjithë rajonin”.

Më 24 shtator 2023, një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin e Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku./ata