Senegali, një nga vendet e Afrikës Perëndimore, për shumë vite vazhdon të jetë një nga rrugët e rëndësishme të apasionuarve pas shpejtësisë.

Senegali, i cili ka stabilitet politik dhe ekonomik në Afrikën Perëndimore, konsiderohet si një nga ndalesat kryesore të organizimeve rally dhe motoçikletave, me afërsisht 720 kilometra vijë bregdetare dhe me duna të shumta të rërës.

Edhe pse emri i Senegalit është i njohur në mesin e të apasionuarve të adrenalinës për Rally Dakar, i cili u mbajt për herë të parë në 1978, vendi ka qenë gjithashtu destinacioni i shumë garave të tjera të automobilave dhe motorëve për rreth 45 vjet.

Falë famës që fitoi me Rally Dakar, shumë gara ndërkombëtare zhvillohen në vend gjatë gjithë vitit, duke përfshirë "Africa Eco Race", "Real Way To Dakar", "Budapest-Bamako", "Circuit de Dakar-Baobabs".

Senegali gjithashtu pret garat "Trophee Mousso" dhe "International Lac Rose Motocross Championship", ku garojnë vetëm pilotet femra.

Edhe Rally "Londër-Dakar, Dakar Enduro", e cila edhe pse jo çdo vit organizohet me mjete klasike në intervale të rregullta, tërheq vëmendjen e adhuruesve të aventurave me itinerarin e tij 22-ditor.

Ndonëse pikat e nisjes së garave ndryshojnë, pothuajse të gjitha përfundojnë në Liqenin Rozë (Lac Rose), 35 kilometra larg Dakarit, ku zhvillohet finalja legjendare e Rally Dakar.

Rally Dakar solli famë

Themelet e Rally Dakar, i cili e bëri Senegalin të famshëm në garat e automobilave dhe motorëve, u hodhën kur garuesi francez Thierry Sabine u zhduk gjatë rally-t Abidjan-Nice në 1977.

Sabine, i cili humbi rrugën në Libi dhe mbeti vetëm në shkretëtirë për ditë të tëra, u ndikua nga kjo përvojë sfiduese dhe vendosi të organizojë një rally që pjesën më të madhe të tij e kalon në shkretëtirë, dhe vitin e ardhshëm ai organizoi Rally Paris-Dakar, siç emërtohej në atë kohë.

Gara, e cila filloi me 182 automjete në sheshin Trocadero në Paris më 26 dhjetor 1978, u përfundua më 14 janar 1979, me 74 automjete që arritën në Dakar pasi kishin përfunduar garën në një pistë prej rreth 10 mijë kilometrash.

Rally u bë i famshëm brenda pak vitesh dhe Sabine ndërroi jetë në vitin 1986 në moshën 37-vjeçare.

Përveç Sabine, jetën e humbi edhe këngëtari francez Daniel Balavoine dhe 3 persona me tjerë kur helikopteri në të cilin ndodheshin u përfshi nga një stuhi rëre në rajonin Gourma të Malit.

Rally Dakar, i cili që nga viti kur filloi e deri në 2008 përfundonte në Afrikë, ndryshoi rrugën e tij fillimisht në Amerikën e Jugut dhe më pas në Arabinë Saudite për shkak të kërcënimit terrorist në Mauritani në 2008.

Edhe pse Rally Dakar është mbajtur në Arabinë Saudite që nga viti 2020, boshllëku që la në Senegal shkaktoi lindjen e garave të tjera.

Garat ambientaliste Africa Eco Race

Africa Eco Race u themelua nga pilotët e famshëm Jean-Louis Schlesser dhe Rene Metge në të njëjtin vit kur Rally Dakar u largua nga kontinenti afrikan që nga viti 2008.

Gara e parë e Afrikës Eco Race, e cila u krijua me moton "Në gjurmët e Thierry Sabine" dhe miratoi parimet e qëndrueshmërisë dhe emetimeve zero, filloi në Marsejë në dhjetor 2008.

Edhe pse pika e fillimit ka ndryshuar midis qyteteve të ndryshme në Francë dhe Evropën Perëndimore, pika e mbërritjes ka mbetur gjithmonë e njëjtë.

Gara, e cila fillon në Evropë dhe kalon përmes Marokut dhe Mauritanisë, arrin në Senegal dhe përfundon në Liqenin Rozë, pikën e përfundimit të Rally Dakar.

Pilotët në Eco Race, e cila është më e aksesueshme, por më pak e njohur se Rally Dakar, përpiqen të përfundojnë për 15 ditë pistën 6 mijë kilometra, e përbërë nga 12 etapa, shumica e të cilave kalojnë në shkretëtirë.

Në garën ku ka dy kategori kryesore me motoçikleta dhe automobila, ka edhe nënkategori ku përfshihen kamionë, automjete klasike dhe SSV.

"Afrika pret pilotët e talentuar turq"

Drejtori teknik i Senegal Moto Verte, Alain Verpoest, i cili mori pjesë së fundmi në garën e 15-të të Senegalit, e cila filloi në Monako më 30 dhjetor 2023 dhe përfundoi në Liqenin Rozë të dielën, më 14 janar, tha në një deklaratë për gazetarin e AA-së se Afrika Eco Race Race të bën të përjetosh shpirtin e Rally Dakar.

Verpoest deklaroi se itenrari i Afrika Eco Race është më i aksesueshëm për amatorët në krahasim me Rally Dakar.

Duke nënvizuar se të gjithë pjesëmarrësit në garë kanë krijuar një lidhje të veçantë me Afrikën, Verpoest tha: "Të gjithë pilotët, pa përjashtim, janë të dashuruar me Afrikën. Edhe pse është mjaft sfiduese, ata e duan shumë këtë rrugë. Tashmë nuk ka më asnjë rrezik sigurie. Mund të marrin pjesë kushdo që dëshiron".

Duke ftuar pilotët turq në garën në Senegal, Verpoest tha: "Në garat e ardhshme dëshirojmë shumë që të shohim edhe ekipet turke këtu. E di që ka pilotë rally shumë të talentuar turq. Afrika po ju pret".

Piloti japonez Ai Tanaka, i cili mori pjesë në garë në kategorinë e motorëve, theksoi se ka kaluar ditët më emocionuese dhe të paharrueshme të jetës së tij.

"Të kalosh shkretëtirat me një motoçikletë për 15 ditë dhe të shohësh gjeografi krejtësisht të ndryshme ishte e jashtëzakonshme, por po aq edhe e vështirë. Ishte rally i parë në të cilin mora pjesë në shkretëtirë, moti ishte shumë i nxehtë, por pata një përvojë të pabesueshme", shtoi Ai Tanaka./aa