Ministri i Punëve të Jashtme të Irakut, Fuad Hussein ka vlerësuar lidhjet e forta të vendit të tij me Türkiyen, duke theksuar se çdo çështje e pazgjidhur midis dy fqinjëve do të zgjidhet përmes dialogut.
Dje, para selisë së OKB-së në New York, Hussein për Anadolu tha se marrëdhëniet Irak-Türkiye "po shkojnë mirë".
Hussein theksoi një takim të ardhshëm midis kryeministrit irakian, Mohammed Shia al-Sudani dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, të planifikuar për sot gjatë ditës në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
"Kryeministri dhe delegacioni i tij do të takohen me presidentin turk dhe delegacionin e tij. Ka disa çështje për të cilat mund të flasim, por gjithçka do të zgjidhet me dialog", tha ministri irakian.
Në muajin prill, presidenti Erdoğan zhvilloi vizitë zyrtare historike në kryeqytetin e Irakut, Bagdad, si dhe në kryeqytetin e Administratës Rajonale Kurde (KRG) në veri të Irakut, Erbil, gjatë së cilës u nënshkruan disa marrëveshje midis dy vendeve për të përmirësuar lidhjet në një sërë fushash./aa