Katari ka bërë të ditur se nuk është në dijeni të një "lidhjeje të drejtpërdrejtë" midis armëpushimeve të propozuara për konfliktet në Liban dhe Rripin e Gazës.
"Unë nuk jam në dijeni të ndonjë lidhjeje të drejtpërdrejtë midis përpjekjeve për të qetësuar situatën në Liban dhe Gaza, por të dy dosjet janë të ndërthurura dhe rrugët e tyre janë paralele", tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, në një konferencë për media në Doha.
"Libani po përballet me një luftë të plotë izraelite e jo me një përshkallëzim dhe Katari bën thirrje për ndalimin e luftës tani në Gaza dhe Liban", shtoi ai.
Al-Mansari tha se vendi i tij do të vazhdojë përpjekjet e tij me partnerët për t'i dhënë fund luftës në Gaza dhe Liban.
Mbrëmë, SHBA-ja, Bashkimi Evropian (BE) dhe nëntë vende të tjera i bënë thirrje Izraelit dhe Hezbollahut të bien dakord për një armëpushim 21-ditor në mes të një përshkallëzimi në luftën e tyre ndërkufitare.
Megjithatë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mohoi raportet e mediave se ai ishte dakord me armëpushimin e propozuar, duke theksuar se ai urdhëroi ushtrinë e tij të vazhdojë të godasë Libanin me forcë të plotë. Ai gjithashtu tha se lufta izraelite në Gaza do të vazhdojë "derisa të arrihen të gjitha qëllimet e luftës".
Katari, së bashku me Egjiptin dhe SHBA-në, ka ndërmjetësuar midis Izraelit dhe Hamasit për të arritur një armëpushim dhe një marrëveshje shkëmbimi të të burgosurve në Gaza. Megjithatë, përpjekjet e ndërmjetësimit kanë ngecur për shkak të refuzimit të Netanyahut për t'i dhënë fund luftës në Gaza.
Izraeli ka goditur disa zona në Liban që nga mëngjesi i të hënës në mes të një përshkallëzimi të luftës ndërkufitare me Hezbollahun. Sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë, të paktën 610 persona janë vrarë që atëherë dhe mbi 2 mijë të tjerë janë plagosur.
Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në një përleshje ndërkufitare që nga fillimi i luftës izraelite në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë të paktën 41.500 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar kundër sulmeve në Liban, pasi ato ngjallin spektrin e përhapjes së konfliktit të Gazës në rajon./aa