Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe homologu i tij palestinez, Mahmoud Abbas, kanë diskutuar situatën në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar gjatë takimit të tyre në New York.

Pallati Elysee njoftoi se Macron dhe Abbas u takuan në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York.

Presidenti francez i shprehu ngushëllimet e tij presidentit dhe popullit palestinez për "humbjen e papranueshme" të jetëve midis civilëve në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar.

Duke përshëndetur miratimin e projektligjit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që kërkon që Izraeli t'i japë fund pranisë së tij në tokat palestineze, Macron tha se Franca e mbështet këtë vendim.

Presidenti francez gjithashtu theksoi se sekuestrimi i tokave palestineze nga izraelitët përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare, parandalon çdo zgjidhje diplomatike dhe se ky uzurpim duhet të përfundojë sa më parë.

"Franca është e gatshme të marrë vendime të reja sanksionesh kundër izraelitëve që uzurpojnë tokat palestineze duke përdorur dhunën", tha Macron, duke shtuar se prioriteti i tyre është të sigurojnë një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm në Gaza.

Ai tha se armëpushimi është mënyra e vetme për lirimin e pengjeve, për mbrojtjen e civilëve, për sigurimin e qasjes së pandërprerë të ndihmës humanitare në Gaza dhe për të kërkuar një zgjidhje politike.

"Zgjidhja me dy shtete është e vetmja zgjidhje që mund të sjellë paqe dhe siguri në rajon", tha Macron, duke theksuar se Franca do të vazhdojë punën e saj në këtë drejtim.

Presidenti francez gjithashtu tha se i ka përcjellë mesazhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se nuk duhet të bllokojë transferimin e të ardhurave të administratsë palestineze./aa