Remitancat në Kosovë kanë regjistruar vlera të larta në gjysmën e parë të vitit. Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se dërgesat e emigrantëve deri në maj 2024 arritën në 512.96 milionë euro, 9.56 milionë euro ose 1.9% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Ndërsa, sipas vlerësimeve paraprake remitancat për muajin qershor ishin rreth 119.71 milionë euro, duke arritur kështu vlerën për gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 në 632.67 milionë euro. Prurjet më të mëdha edhe gjatë muajit qershor kanë qenë përmes institucioneve financiare jo banka 60.14%, përmes bankave komerciale 15.5% dhe kanaleve tjera 24.36%.
Dërgesat e emigrantëve në Kosovë për vitin 2023 regjistruan rekordin e gjashtë viteve të fundit duke arritur në rreth 1,344 miliardë euro, ose 10% më shumë se viti paraardhës.
Remitancat në Kosovë vijojnë të vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, që përbëjnë rreth 55% të totalit, ndjekur nga SHBA dhe vendet e tjera të Eurozonës.
Ndërkohë, investimet direkte në Kosovë deri në fund të majit 2024 ishin 341.22 milionë euro, në rritje prej 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit kaluar dhe investimet direkte jashtë Kosovës shënuan vlerën 84.14 milionë euro./Scan