Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas, tha se Izraeli po kryen gjenocid edhe kundër popullit të Libanit.

Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të 79-të të Kombeve të Bashkuara (OKB), Abbas bëri deklarata lidhur me ngjarjet në Gaza, krimet e kryera nga Izraeli, opinionin këshillues të marrë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë më 19 korrik dhe projektrezolutën e miratuar më pas nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, mbështetjen që popujt e botës kanë dhënë për Palestinën, si dhe për pikëpamjet e tij për kërkesat e administratës palestineze në lidhje me periudhën e pasluftës në Gaza.

Abbas e filloi fjalimin e tij duke rikujtuar se 75 për qind e Gazës është shkatërruar sa nuk mund të njihet dhe se mijëra njerëz kanë vdekur.

"Ndaloni krimet e kryera nga Izraeli në Gaza dhe Bregu Perëndimor, ndaloni vrasjen e fëmijëve dhe grave, gjenocidin dhe dërgimin e armëve ndaj Izraelit. Kjo çmenduri nuk mund të vazhdojë" shtoi ai.

Duke iu referuar thirrjes së ministrit të Sigurisë Kombëtare të ekstremit të djathtë të Izraelit, Itamar Ben Gvir për të ndërtuar një sinagogë në Xhaminë Al-Aksa, Abbas tha se Xhamia Al-Aksa dhe rrethinat e saj i përkasin muslimanëve, se edhe kjo është pranuar nga Lidhja e Kombeve në vitin 1930 dhe se pavarësisht kushteve ata nuk do të pranojnë asgjë tjetër përveç kësaj.

Abbas tha se ata kishin paralajmëruar shumë herë më parë se shteti i pushtuar palestinez ishte në pikën e shpërthimit dhe se ky shpërthim ndodhi më 7 tetor. Më tej ai njoftoi se ata bënë thirrje për t'u ulur në tryezën e bisedimeve mbi bazën e zgjidhjes me dy shtete, por që Izraeli në vend që të dëgjonte zërin e arsyes, ai filloi gjenocidin në Gaza dhe ende vazhdon të kryejë krime lufte para syve të komunitetit ndërkombëtar.

"Ndërsa tani Izraeli po sulmon tani popullin vëlla të Libanit. Qeveria izraelite po kryen krimin e gjenocidit kundër popullit libanez. Izraeli duhet të ndalojë luftën në Palestinë dhe Liban", tha presidenti Abbas.

 

- Lavdërime për mbështetjen e dhënë ndaj Palestinës

Në fjalën e tij, presidenti palestinez Abbas falënderoi vendet që votuan pro projekt-rezolutës që kërkon përfundimin brenda 12 muajve praninë e Izraelit në territoret nën pushtim dhe të cilën Palestina e paraqiti në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara duke u bazuar në opinionin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) më 19 korrik, e cila e shpalli të paligjshëm pushtimin e tokave palestineze nga Izraeli.

Duke falënderuar gjithashtu edhe aktivistët që mbështesin Palestinën, Abbas u shpreh: "Ne u jemi mirënjohës atyre që organizojnë demonstrata në mbështetje të Palestinës në të gjithë botën, përfshirë SHBA-të dhe vendet perëndimore. Ne jemi gjithashtu mirënjohës edhe për aktivistët që erdhën në Palestinë duke rrezikuar jetën e tyre. Me këtë rast përkujtoj shtetasen turko-amerikane Ayşenur Ezgi Eygi. Populli palestinez nuk do ta harrojë qëndrimin e zonjës Ayşenur që u martirizua nga ushtria okupatore izraelite".

 

- Pas luftës në Gaza

Pasi dha informacione në lidhje me pikëpamjen që ata përqafojnë si administratë palestineze në lidhje me periudhën e pasluftës në Gaza, Abbas tha më tej:

"Ditën pas luftës, duam që të ndalen plotësisht sulmet e izraelitëve uzurpatorë në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Kuds, tërheqjen e Izraelit nga Gaza, që të mos krijohet asnjë zonë tampon në Gaza, njerëzit të mos deportohen, të zhvendosurit të kthehen në shtëpitë e tyre, ndihmat humanitare të hyjnë urgjentisht dhe rregullisht në Gaza, mbrojtjen e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara (OKB) për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA) dhe organizatave të ndihmës humanitare, sigurimin e mbrojtjes ndërkombëtare për palestinezët, dhënien e autoritetit të plotë ndaj administratës palestineze në Gaza dhe pikat e saj kufitare, rindërtimin e Gazës, mbledhjen e mbështetjes ndërkombëtare që shteti palestinez të bëhet anëtar i plotë i OKB-së dhe zbatimin e projektrezolutës së miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e cila përcakton fundin e okupimit brenda 12 muajve".

Duke iu drejtuar botës nga foltorja e OKB-së, Abbas kërkoi nga OKB-ja që të marrë një vendim për këtë çështje dhe të bëjë presion mbi Izraelin që ata të shkojnë në Gaza.

Abbas shtoi gjithashtu se ata do të mirëpresin këdo që dëshiron të bashkohet me ta në rrugën e tyre për në Gaza./aa