Tridhjetë rabinë izraelitë që përfaqësojnë lëvizjen fetare sioniste shprehën kundërshtimin e tyre ndaj një vendimi të ministrit të Trashëgimisë, Amichai Eliyahu, për të financuar bastisjet e kolonëve në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor.
Në një letër drejtuar Eliyahut të publikuar nga "Channel 14", ata thanë: "Ne ishim jashtëzakonisht të tronditur nga raportet e qëllimit tuaj për të financuar dhe menaxhuar turne me guidë në Malin e Tempullit (xhamia Al-Aksa), që është ndaluar plotësisht për breza edhe për lutje nga Kryerabinati".
"Hyrja në Malin e Tempullit ngre shqetësime rreth ndalimeve të rënda dhe përdhosjes së Tempullit dhe shenjtërisë së tij, për të cilën të urtët tanë thanë se është më serioze se të gjitha shkeljet e tjera të përmendura në Torah", shton letra.
Rabinët i kujtuan Eliyahut se gjyshi i tij, ish-kryerabini Mordechai Eliyahu, ishte mes atyre që ndaluan hyrjen në kompleks. Ata theksuan se "Mali i Tempullit nuk është një vend për vendbanim, as një vend për vizita dhe ekskursione".
Rabinët e përfunduan letrën e tyre duke thënë se "ne kemi besim se ju do të ndiqni shembullin e gjyshit tuaj dhe do të anuloni planet e shërbesës tuaj për të filluar turnetë me guidë në Malin e Tempullit".
Rabinët në Izrael pohojnë se "Tempulli" ndodhej aty ku tani ndodhet Al-Aksa, por ata ndalojnë hyrjen në zonë me arsyetimin e "ruajtjes së shenjtërisë së vendit derisa tempulli të rindërtohet".
Transmetuesi publik izraelit KAN tha se Zyra e ministrit të Trashëgimisë, Amichai Eliyahu, një ministër ekstremist i njohur antipalestinez, do të ndajë rreth 540 mijë dollarë për turne me guidë, të cilat pritet të realizohen në javët e ardhshme.
Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, për Radion e Ushtrisë Izraelite tha se politika e tij është që "të lejojë hebrenjtë të kryejnë lutje brenda Malit të Tempullit (duke iu referuar xhamisë Al-Aksa)", duke vënë në dukje se kryeministri Benjamin Netanyahu e dinte politikën e tij përpara se të formonte qeverinë e koalicionit.
Njoftimi vjen pavarësisht pretendimeve të përsëritura nga Netanyahu për të ruajtur "status quo"-në në Al-Aksa.
"Status quo"-ja në Al-Aksa është situata që ekzistonte përpara se Izraeli të pushtonte Kudsin Lindor në vitin 1967, sipas së cilës Vakëfi Islamik i Kudsit, i lidhur me Ministrinë Jordaneze të Vakëfeve, është përgjegjës për menaxhimin e punëve të xhamisë.
Megjithatë, në vitin 2003, autoritetet izraelite ndryshuan këtë status duke lejuar kolonët të hyjnë në Al-Aksa pa miratimin e Vakëfit Islamik, i cili kërkon t'i jepet fund këtyre bastisjeve.
Ben-Gvir pretendoi të hënën se hebrenjtë kanë të drejtë të luten në Al-Aksa, duke thënë se ai do të ndërtonte një sinagogë në këtë lokacion. Ishte hera e parë që ministri izraelit foli hapur për ndërtimin e një sinagoge brenda Al-Aksës. Megjithatë, ai ka bërë thirrje vazhdimisht në muajt e fundit për lejimin e lutjeve hebreje brenda kompleksit.
Thirrja e tij erdhi mes bastisjeve të përsëritura në kompleks nga kolonët e paligjshëm izraelitë nën mbrojtjen e policisë.
Al-Aksa konsiderohet vendi i tretë më i shenjtë në Islam. Hebrenjtë i referohen zonës si Mali i Tempullit, duke besuar se është vendndodhja e dy tempujve të lashtë hebrenj./aa