52-vjeçari Elis Avduli nga Konispoli, i njohur ndryshe edhe si Mile Xhafa, një ish i dënuar në Greqi për trafik droge, aktualisht i akuzuar për “vjedhje me armë” në bashkëpunim të noterit të njohur nga Saranda, Thoma Kaçi, është liruar nga Gjykata e Sarandës.
Vendimi është marrë në 16 shkurt nga Gjyqtari Fatmir Ndreu, por është bërë publik vetëm pas një muaji. Avdulit i është ndryshuar masa e sigurisë nga “Arrest në burg” në “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” pasi atij i kanë përfunduar afatet e paraburgimit.
Prokurori i çështjes ka tentuar qysh në fund të vitit të kaluar të çojë për gjykim çështjen duke e dorëzuar nëgGjykatë, por pas disa seancash, në 15 shkurt të këtij viti, gjyqtari paraprak ka refuzuar duke deklaruar të pavlefshëm aktin procedurial të prokurorit Ilir Hoxha “Kërkesë për dërgimin në gjyq të çështjes”, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë për procedimin penal nr. 687, të vitit 2021, pasi sipas gjyqtarit “është nxjerrë në kundërshtim me nenet 327 dhe 331/2 të Kodit të Procedurës Penale” duke urdhëruar kështu kthimin e akteve Prokurorisë.
Në të njëjtën ditë, Elis Avduli përmes dy avokatëve të tij Ermir Beta dhe Armando Cakrani bën kërkesë në gjykatë për shuarje të masë së sigurimit “Arrest në burg” e cila shqyrtohet të nesërmen. Shkak i kërkesës ishte tejkalimi i afatit 12 mujor që një i paraburgosur mund të mbahet si i tillë për krime që dënohen në maksimum jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm, pa u dorëzuar aktet në gjykatë.
Avduli në fakt ndodhej në qeli prej 5 nëntorit 2021, kur ndaj tij ishte caktuar masa “Arrest në burg”. Vetë prokurori Ilir Hoxha kërkoi në seancë konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” gjë e cila u pranua edhe nga Gjyqtari Fatmir Ndreu. Ky i fundit edhe pse në vendim vlerëson se ekziston rreziku që i pandehuri të largohet, pranon të vendosë ndaj tij masën më të lehtë, atë “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” duke u urdhëruar që të paraqitet çdo javë përpara OPGJ që mbulon vendbanimin/vendqëndrimin e tij.
Mëngjesin e 20 tetorit 2021, dy persona i zunë pritë Thoma e Martha Kaçit teksa ata po merrnin ashensorin për të dalë nga banesa në lagjen nr.4 të Sarandës.
Nën kërcënimin e një kallashnikovi, grabitësit i futën brenda bashkëshortet, i lidhen dhe u larguan me rreth 13.500 euro dhe rreth 5.3 milionë lekë të vjetra e dy çelësa automjetesh.
Në dëshminë e tij noteri Kaçi tha se fillimisht njëri prej autorëve i tha se kishte urdhër për ta vrarë Kaçin por nëse ai i jepte para, ai do e falte.
Në 3 nëntor 2021, policia e Sarandës organizoi operacionin “Butrinti” ku arrestoi 3 persona të dyshuar, Elis Avduli 54 vjeç nga Konispoli, Oltjon Kolonja, 42 vjec nga Kruja por me banim në Sarandë dhe Vladrias Himaj, 36 vjec nga Berati por me banim në Sarandë.
Në 19 maj 2022, në prangat e policisë së Sarandës ranë edhe Samet Brahimi 34-vjeç nga Shkodra dhe Ilia Mata, 29-vjec nga Tirana.
Brahimi u arrestua tek kryqëzimi i Laprakës në Tiranë teksa udhëtonte bashkë me një shok në një automjet “Ëolsvagen” ku u gjet edhe një arme zjarri Kallashnikov.
Disa muaj më pas Kolonja dhe Himaj u liruan nga Gjykata e Sarandës për mungesë provash, ndërsa në përfundim të hetimeve edhe Prokurori kërkoi pushimin e çështjes ndaj tyre duke dorëzuar në gjykatë dosjen për gjykim vetëm ndaj Avdulit, Brahimit e Matës.
Për çështjen penale nr.687 të vitit 2021, Samet Brahimi akuzohet për “vjedhja me armë”, kryer në bashkëpunim, në dëm të familjes Kaçi, parashikuar nga nenet 140 dhe 25 të Kodit Penal, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në ambiente publike, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal, Ilia Mata akuzohet për “vjedhja me armë”, kryer në bashkëpunim, në dëm të familjes Kaçi, parashikuar nga nenet 140 dhe 25 të Kodit Penal, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në ambiente publike, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal, ndërsa Elis Avduli akuzohet për “vjedhja me armë”, kryer në bashkëpunim, në dëm të familjes Kaçi, parashikuar nga nenet 140 dhe 25 të Kodit Penal.
Tashmë në qeli për ngjarjen mbeten vetëm Samet Brahimi e Ilia Mata ndërkohë që me vendimin e Gjykatës për kthimin e akteve prokurorit, ky i fundit duhet të tentojë sërish ta çojë atë për gjykim.