Mungesa e gjakut po kthehet në një problem në shumë vende të botës, që përballen me një numër të ulët dhuruesish dhe shumë pak mjekë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në mjaft shtete ekziston problemi i sigurimit të mjaftueshëm të gjakut, që është një garanci për jetën e shumë pacientëve.
Në veçanti, fenomeni është më i theksuar në vendet e varfëra. Nga 118,5 milionë dhurime gjaku çdo vit në mbarë botën, 40% mblidhen në vendet me të ardhura të larta, ku jeton vetëm 16% e popullsisë së botës. Megjithatë, edhe në këto vende ka një nevojë të vazhdueshme për gjak. Shpesh, edhe pagesat me para në dorë dhe dhuratat e mëdha nuk mjaftojnë për të bindur njerëzit të dhurojnë gjak. Në këto kushte, është menduar se gjaku artificial mund të ishte një zgjidhje, sidomos për pacientët me grupe të rralla gjaku ose për personat me intoleranca specifike. Në total, ekzistojnë më shumë se 30 sisteme të ndryshme të grupeve të gjakut.
Sistemi ABO i grupeve të gjakut dhe faktori Rhesus janë vendimtare për transfuzionin e gjakut. Vetëm grupi i gjakut 0- mund të përdoret universalisht, por dhuruesit me këtë grup gjaku janë shumë të rrallë. Megjithatë, sic thekson DË, edhe krijimi i gjakut artificial nuk është pa rreziqe. Mund të ketë efekte anësore, reagime jo të mira dhe shok anafilaktik, nëse trupi reagon ndaj enzimave të huaja ose përbërësve artificialë të gjakut. E kjo mund të cenojë edhe jetën e pacientit.
Duhet gjithashtu të sigurohet që gjaku artificial mund të përmbushë të gjitha funksionet e gjakut natyral – nëse mund t’i përshtatet grupeve të ndryshme të gjakut dhe kërkesave specifike të marrësit. Në përgjithësi, sipas ekspertëve, do të duhet të kalojnë edhe shumë vite përpara se gjaku artificial të jetë i disponueshëm në sasi të mjaftueshme dhe me sigurinë e nevojshme për përdorim të gjerë./TopChannel