Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka bërë një tranformim rrënjësor të praktikave dhe mendësisë së qeverisjes, ndërsa foli për sukses të Reformës në Drejtësi.

Në fjalën e tij, në sesionin e 79-të të Asamblesë të Përgjithshme të OKB, në Nju-Jork, Rama tha se tashmë 95 % e shërbimeve ofrohen pa letër dhe se digjitalizimi i aksesit dhe shërbimeve ka tkurrur korrupsionin, informalitetin dhe mosbesimin në institucione.

“Me një reformë të pashembullt në drejtësi, Shqipëria ka investuar masivisht gjatë viteve të fundit në arritjen e OZHQ-së 16 si instrument kyç për të përftuar të ardhme të qëndrueshme, progres shoqëror, prosperitet ekonomik, qëndrueshmëri mjedisore dhe drejtësi, por për një vend në zhvillim që përpiqet për institucionet e drejta, e ndershme e mirëqeverisje, kjo është një betejë që nuk mund të fitohet brenda një viti përmes disa reformave apo edhe brenda vetëm një dekade. Në të kundërt, është një përpjekje e pareshtur për të transformuar së brendshmi, të gjitha praktikat për t’u ofruar akses qytetarëve në të gjitha nivelet dhe shkallët e qeverisjes”, theksoi Rama.

Rama u shpreh se qeveria ishte zotuar të luajë rolin e saj e të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar për të siguruar realizimin me sukses të axhendës “Shqipëria 2030”.

“Duke punuar mbi atë që kemi bërë në vazhdim gjatë mandatit të mëparshëm si anëtar jo i përhershëm i KS dhe do të vazhdojmë të punojmë me vende me mendësi të ngjashme me ne për të përmirësuar qeverisjen e efikasitetin institucional të OKB dhe rendin shumëpalësh, respektimin e të drejtave të njeriut”, deklaroi Rama.

Kryeministri deklaroi se si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut, Shqipëria është zotuar kundrejt parimeve universale të të drejtave të njeriut e dinjitetit njerëzor, ku çdo qenie nejrëzore mund të realizojë potencialin e vet të plotë e të jetojë me dinjitet e respekt.

“Një bijë e dashur e shqiptarëve Shën Tereza tha dikur: e vetme nuk mund të ndryshoj botën, por mund të hedh një gur në ujë për të krijuar shumë rrathë. Nuk ka thenie më të mirë që shëmbellën nevojën e sotme për të punuar së bashku mbi atë çka qartësisht është thelbi i një rendi shumëpalësh”, deklaroi Rama./ata