Festivali Ndërkombëtar i Serenatës, ideuar dhe realizuar nga Bashkia Korçë ka çelur të premten edicionin e parë për t’u kthyer në një traditë të përvitshme, si një nga festivalet më të rëndësishme të kalendarit vjetor të Korçës.

Nata e parë e Festivalit Ndërkombëtar të Serenatës në Korçë mbushi qytetin me tingujt magjepsës të kitarave dhe këngëve të dashurisë, duke krijuar një atmosferë të paharrueshme për qindra vizitorë.

Ndërkohë sonte, vijon nata e dytë e festivalit, duke e shndërruar Korçën në një nga pikat më të rëndësishme kulturore të Shqipërisë që vazhdon të dhurojë emocion dhe art.

Serenatat korçare janë të njohura për të gjithë shqiptarët dhe të kënduara prej një shekulli e gjysmë, por organizimi i një festivali dedikuar serenatave, synon që të tërheqë më shumë turistë jashtë sezonit të lartë turistik dhe njëkohësisht të ruajë dhe kultivojë vlerat e serenatës si një pasuri kulturore e këtij qyteti.

Ky festival synon ta sjellë serenatën korçare në dy versione, atë tradicionalin dhe të përpunuarin.

Serenatat janë këngë që lindën si dedikime dashurie rrugicave të qytetit të Korçës e që luheshin me kitarë e mandolinë poshtë dritareve të vajzave, ndaj të cilave shprehnin dashurinë.

Natën e parë të festivalit të serenatave e ka komentuar dhe Drejtuesi politikë i Partisë Socialiste në Korçë, deputeti dhe kryetari i grupit parlamentar të mazhorancës, Niko Peleshi. Ai shkruan; “nata e parë e Festivalit Ndërkombëtar të Serenatës në Korçë mbushi qytetin me tingujt magjepsës të kitarave dhe këngëve të dashurisë, duke krijuar një atmosferë të paharrueshme për qindra vizitorë. Edhe sonte, në natën e dytë të festivalit, Korça vazhdon të dhurojë emocion dhe art, duke u shndërruar në një nga pikat më të rëndësishme kulturore të Shqipërisë.”/ata