Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po pret mendime nga palët mbi dokumentin e propozuar per rregullat e regjistrimit për votim të emigrantëve. Report TV ka mësuar se Partia Socialiste, edhe pse bie dakord në tërësi me rregullat e menduara nga Ilirjan Celibashi, ka disa rezerva për momentin e regjistrimit.
Drafti parashikon që, për tu regjistruar në listën e zgjedhësve nga jashtë, duhet të përdoret një dokument shqiptar i paskaduar, ndërkohë që për votuesit në Shqipëri karta apo pasaportë të vlefshme të kërkohet ditën e votimit, e jo disa muaj përpara gjatë regjistrimit. Socialistët po mendojnë si mund të zgjidhet kjo, për të mos penalizuar emigrantët e për tu lënë atyre më shumë kohë të rinovojnë dokumentet.
Partia Demokratike e angazhuar me çështjen e ndjeshme si arrestimi i deputetit Salianji, nuk ka përgatitur ende vërejtje apo sugjerime ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Qëndresa Qytetare, një organizatë e shoqërisë civile, ka publikuar disa rekomandime, të cilat kritikojnë listën e dokumenteve që duhet të hedhin në sistem emigrantët për të provuar se jetojnë në një adresë të caktuar, jashtë vendit.
“Një pjesë e konsiderueshme e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit, kanë status migrimi të paligjshëm ose udhëtojnë brenda rregullave te përcaktuara nga Bashkimi Evropian dhe për rrjedhojë, nuk mund të sigurojnë kontrata, si ato të qirasë, furnizimit me energji elektrike, ujë apo shërbime internet, të kenë certifikata pronësie apo kontrata kredie bankare. Në të tilla kushte, këta shtetas përjashtohen në mënyrë automatike nga e drejta kushtetuese e votës”.
Qëndresa thekson se të gjithë dokumentet janë në një gjuhë të huaj, përmbajtja e të cilave, nuk mund të verifikohet nga nëpunësit shqiptarë.
Në këto kushte, Qëndresa Qytetare propozon që KQZ të pranojnë si të mjaftueshme për vërtetimin e qëndrimit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë edhe vetëdeklarimin e zgjedhësit, kundrejt njoftimit mbi pasojat që vijnë në rast të deklarimit të rreme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi projektvendimin një javë më parë, draft i cili parashikon ndër të tjera regjistrim vetëm online të zgjedhësve, me skanim fytyre dhe duhet që të provojnë me dokumente që jetojnë jashtë shtetit./Shqiptarja