Familja e Aleks Nikës, “Dëshmorit të Atdheut”, i cili humbi jetën nga plumbat e Gardës së Republikës gjatë demonstratës së 21 janarit 2011 përpara Kryeministrisë, dërgoi në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Shkalla e Parë e GJKKO) vendimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për shpalljen e moskompetencës për kallëzimin e 4 familjeve Nika, Deda, Veizi dhe Myrtaj ndaj ish-krerëve të lartë të shtetit në 2011, Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi për veprën penale “Vrasje me dashje të disa personave, të kryera nga një organizatë kriminale nga persona me funksione të larta shtetërore”. Me kërkuese Rajmonda Nikën dhe me përfaqësues ligjor avokat Idajet Beqirin, familjet e 4 “Dëshmorëve të Atdheut” kërkojnë shfuqizimin e vendimit të SPAK që ia kaloi çështjen Prokurorisë së Tiranës. Kjo kërkesë është dërguar në 13 mars. Kujtojmë që më herët, SPAK nuk pranoi të merrte parasysh as 2 kallëzimet e PS për “21 janarin”.

 

 

Ankimi shqyrtohet në 29 mars nga gjyqtarja Elsa Ulliri

 

Kërkesa e familjes Nika do të shqyrtohet nga gjyqtarja Elsa Ulliri në 29 mars, ora 14:00 në dhomë këshillimi. “Kundër vendimit të Prokurorisë së Posaçme kundër moskompetencës lëndore dhe dërgimin e çështjes kundër të kallëzuarve Sali Berisha, ish-kryeministër i Republikës së Shqipërisë; Lulzim Basha, ish-Ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendi, ish-komandant i Gardës së Republikës, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë. Seanca për shqyrtimin e kërkesës së mësipërme është caktuar për t’u zhvilluar me datë 29.03.2023, ora 14:00. Shqyrtimi i çështjes do të bëhet në dhomë këshillimi”, shkruhet në njoftimin e GJKKO.

 

Përgjigjia e SPAK: Nuk ka autorë të vrasjeve të Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës

 

Në shkresën e SPAK dërguar Prokurorisë së Tiranës në fund të muajit të kaluar, thuhet se nuk është gjetur ende autori/ët e vrasjeve të Aleks Nikës dhe Hekurën Dedës, 12 vite pas ngjarjes, ndaj për rrjedhojë, kallëzimi ndaj Berishës, Bashës dhe Prendit nga familjet Nika, Deda, Myrtaj dhe Veizi nuk mund të merret në konsideratë nga SPAK. Në fund, Altin Dumani kërkon që përgjigje për këtë kallëzim të japë vetë Prokuroria e Tiranës. “Gjthashtu, deri në këto momente të hetimit që po kryhet nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, nuk rezulton të jenë të identifikuar autorë të veprës penale dhe si rrjedhim, nuk është arritur të provohet se autorë mund të jenë subjekte të posaçme, sipas nenit 75/a, të Kodit të Procedurës Penale dhe nenit 3 të ligjit nr. 95/2016 ‘Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar’. Për këtë arsye, referuar nenit 75/a, 76 dhe 28 të K. Pr. Penale, ju përcjellim për kompetencë lëndore materialin kallëzuar me nr. K. 137, datë 16.02.2023, me qëllim vlerësimi nga ana juaj”, shkruhet në faqet 2-3 të letrës së kreut të SPAK, Altin Dumani.

 

 

SPAK pranon ta marrë çështjen nëse Prokuroria e Tiranës gjen prova të reja

 

Në fund, SPAK lë vetëm si mundësi marrjen në dorë të çështjes së “21 janarit” vetëm nëse Prokuroria e Tiranës zbulon prova të reja për ekzekutimet e Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt dhe emrat e personave përgjegjës për vrasjet e tyre.  Me pak fjalë, njësoj si në rastet e kaluara, edhe pse ka prova se vrasjet “21 janarit” janë krime shtetërore, SPAK heq totalisht përgjegjësinë nga vetja dhe ia hedh “topin” Prokurorisë së Tiranës. “Nëse në vijim të verifikimeve apo hetimeve, do të konstatohet ekzistenca e ndonjë vepre penale apo subjekt në kompetencë hetimi sipas nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale, atëherë, aktet e procedimit penal të dërgohen për kompetencë lëndore në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar dhe nenit 28 të Kodit të Procedurës Penale”, mbyllet letra e Altin Dumanit drejtuar Prokurorisë së Tiranës.

 

 

SPAK i kaloi Prokurorisë së Tiranës dhe 2 kallëzimet e Manjës dhe PS

 

Në 9 shkurt, SPAK vendosi të mos marrë përsipër shqyrtimin e kallëzimeve të Partisë Socialiste dhe Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, të cilët kërkojnë ndjekjen penale dhe gjykimin e 3 protagonistëve të tragjedisë së 12 viteve më parë, Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Ndrea Prendit për vrasje në rrethana cilësuese, shpërdorim detyre, rrethana rënduese, etj. Prokurorja e SPAK, Manjola Kajana shpalli moskompetencë për këto 2 kallëzime të dërguara në muajin janar, pasi nuk është dorëzuar materiali origjinal i audio-përgjimit të komunikimit të Prendit me vartësit të tij gjatë kohës kur po sulmohej Kryeministria dhe Garda po përgatitej për t’u kundërpërgjigjur me armë zjarri. Për rrjedhojë, dosja me kallëzimet ndaj ish-krerëve të lartë shtetit në 2011 iu kalua Prokurorisë së Tiranës. Në këtë situatë, një nga çështjet që opinioni publik pritur me shpresë për shumë vite se do të zbardhet plotësisht rrezikon të futet në kanalet e errëta të harresës, pasi institucionet juridike kanë hequr dorë nga trajtimi i “21 janarit” duke ia hedhur përgjegjësinë njëra-tjetrës.