Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi deklaroi sot se mazhoranca do të vijojë jetën parlamentare sipas detyrimeve kushtetuese, ndërsa theksoi se shpreson që të mos ketë bojkot apo bllokim nga ana e opozitës.
Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së grupit parlamentar, Peleshi iu përgjigj interesimit mbi qëndrimin që do të mbajë mazhoranca pas deklaratave të opozitës për ndërprerje të marrëdhënieve institucionale.
“Nuk e kemi kuptuar mirë vendimmarrjen e opozitës. Nuk e di ç’do të thotë ndërprerje e marrëdhënieve institucionale me mazhorancën. Shpresoj mos të ketë bojkot apo bllokim. Po ashtu ne na qëndron mbi krye ligji dhe rregullorja e Kuvendit dhe ne vazhdojmë mbledhjet dhe seancat sipas ligjit”, u shpreh Peleshi.
Peleshi theksoi se skenarët e bojkotit dhe dhunës janë provuar se janë të pasuksesshëm.
“Unë shpresoj që mos të shkojmë në skenar që janë provuar dhe më parë të pasuksesshëm si forcë politike. E kam fjalën këtu për bojkotin apo bllokime të natyrës së dhunshme por nuk do të aludoj. Shpresoj që mos të ndodh kjo, ne do të vazhdojmë punën tonë. Jemi para një seance parlamentare të ditës së enjte, përveç sot që është e dedikuar për zgjedhësit. Kemi diskutuar për rendin e ditës dhe ju konfirmoj se grupi parlamentar i PS-së do të vazhdojë të ndjekë me përgjegjshmëri të gjithë jetën parlamentare në komisione dhe seanca plenare”, konfirmoi Peleshi.
Duke komentuar deklaratat e opozitës, ai theksoi se deri tani nuk ka qenë e nevojshme të ketë mbledhje online.
Peleshi nënvizoi se jeta parlamentare po vazhdon dhe është zgjedhja e opozitës nëse do të marrë pjesë apo jo.
I pyetur mbi burgosjen e deputetit demokrat Ervin Salianji, Peleshi theksoi se është vendosur një kulturë politike nga mazhoranca për të mos komentuar vendimet e drejtësisë.
“Ne e kemi bërë për kulturë politike të mos komentojmë zhvillimet e organeve të drejtësisë. Nuk e kemi bërë këtë as kur ndonjë koleg i yni ka pasur apo ka çështje të hapura. Mos më kërkoni të komentoj një vendim të formës së prerë. Kemi kërkuar Reformën në Drejtësi pikërisht që t’i ndajmë punët e pushtetet”, shtoi Peleshi./ata