Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me ngjarjen ku u përfshi Drejtori i Përgjithshëm i Qarkullimit Rrugor, Altin Qato, i cili qëlloi me shuplakë një të ri dhe më pas u pezullua.
Në një reagim për mediat, deputetja e PD-së Elda Hoti, theksoi se Qato goditi qytetarin vetëm se i ra borisë në mbështetje të protestës së banorëve të Thumanës.
“Drejtorit të Përgjithshëm të Narko Policisë dhe shefit të tij politik në krye të narko-shtetit, ua dimë mirë arsyet e tërbimit dhe, për sjelljen në Thumanë dhe kudo tjetër, sa herë ka protesta, do të përgjigjen herët a vonë.”, -pohon deputetja.
REAGIMI
Të nderuar qytetarë!
Mospajtimi i banorëve të Mamurrasit, Thumanës, Fushë Krujës dhe fshatrave përreth, me bllokimin e aksesit të tyre në rrugën kombëtare, është ndeshur dje me tërbimin e narko policisë dhe të shefave të tyre lart në qeveri. Drejtori i Narko Policisë, Altin Qato, ka goditur një qytetar vetëm se i ka rënë borisë në mbështeje të protestës së banorëve të zonës. Ndërkohë, prania e Policisë ka qenë në shpërpjestim, si me motivin e tubimit ashtu dhe me numrin e protestuesve.
Partia Demokratike u bën thirrje policëve të thjeshtë të papërzier me krimin e shefave të tyre, të demonstruar qartë në disa dosje të shërbimeve të huaja, të mos ndjekin verbtazi urdhrat që i vënë kundër bashkëfshatarëve dhe bashkëqytetarëve të tyre. Drejtorit të Përgjithshëm të Narko Policisë dhe shefit të tij politik në krye të narko-shtetit, ua dimë mirë arsyet e tërbimit dhe, për sjelljen në Thumanë dhe kudo tjetër, sa herë ka protesta, do të përgjigjen herët a vonë.
Partia Demokratike u bën thirrje banorëve të mos dorëzohen deri sa rruga të hapet dhe jeta e tyre t’i kthehet normalitetit. Ju do të keni mbështetjen tonë sot në opozitë. Nesër në qeveri do t’ju japim aksesin që u takon në rrugët kombëtare që janë bërë me taksat tuaja. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve dhe origjinës, që të bashkohen me bashkëkombasit e tyre të cilët po dhunohen dhe po përbuzen. Atyre u janë mbyllur dyert e shtëpive dhe bizneseve, dhe duhet të shkojnë deri në Rinas për t’u kthyer në punët e tyre të përditshme.
Atyre u bëhet një padrejtësi e madhe e cila duhet korrigjuar. Nëse qeveria nuk e bën me vullnet do ta bëjë me forcë.
Ne jemi në krah të banorëve, derisa ata të kenë akses në rrugën kombëtare.
Ne jemi kundër qeverisë sa herë u hyn në hak qytetarëve.
Ne do të drejtojmë një qeveri që rrugët i bën për shqiptarët, sic ka bërë në periudhën 2005-2013 me 11 mijë km rrugë, jo për oligarkët.
Mos e pushoni rezistencën, është e vemja rrugë përballë së cilës narkoqeveria hap rrugë!
O sot, o kurrë!
/BalkanWeb