Mjekja Alma Guxo la pas jetën në Itali për t’u kthyer në vendin e saj bashkë me familjen.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u takua me doktoreshë Almën, të cilën e cilësoi një model frymëzues që meriton mirënjohjen maksimale për vendimin dhe përkushtimin e saj.

“Alma kurrë nuk e harroi vendin e saj, ndaj zgjodhi t’u shërbejë qytetarëve të Vlorës me përkushtim dhe dashuri. Pas një eksperience me organizata ndërkombëtare jashtë vendit, por edhe brenda vendit tashmë ka vendosur të punojë në sistemin publik shëndetësor dhe i është bashkuar qendrës shëndetësore numër 2 në Vlorë”, tha Koçiu.

Mjekja Guxo tha se, “kam punuar fillimisht për një institucion të huaj si mjeke në Shqipëri, realisht një nga stimujt ishte edhe fakti që mundësitë si terapeutike, dhe diagnostike që sistemi jonë shëndetësor ofronte, ishin shumë të limituara. Për të njëjtin institucion punova disa vite dhe jashtë vendit. Destinacioni i fundit, i cili kemi jetuar, sepse bashkëshorti im është qytetar i huaj, ka qenë Italia. Vitin e kaluar u kthyem dhe pamë shumë gjëra të ndryshuara si në infrastrukturën e sistemit shëndetësor, dhe në infrastrukturën e vetë vendit”.

“Edhe për arsye familjare morëm këtë vendim që të vijmë në Shqipëri dhe unë iu drejtova sistemit shëndetësor publik, pasi si gama e shërbimeve diagnostike, dhe terapeutike si në nivel terciar, ashtu edhe pranë vendbanimeve, sot është shumë më e gjerë dhe ne si mjekë na i bën më të lehtë ushtrimin e profesionit, marrjen e kënaqësisë profesionale që janë ato elementët më të rëndësishëm për çdo profesionist”, theksoi Guxo, duke shtuar se gama e shërbimeve zgjerohet, shërbimet e specialiteteve plotësohen.

“Kemi shumë procedura diagnostike që tashmë ofrohen si në spitalin rajonal të Fierit, dhe atë të Vlorës”, shtoi ajo.

Mjekja Guxo u shpreh se e sheh perspektivën e saj në atdhe./ata