Një 53-vjeçar i quajtur Besim Gashi është vënë në pranga nga policia në Kosovë dhe është ekstraduar drejt Shqipërisë.

 

 

Ai është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë si bashkëpunëtor për trafikimin e një sasie lënde narkotike të kapur gjatë një operacioni policor, të zhvilluar në vitin 2017, në fshatin Rrilë, Lezhë. Gjykata e ka dënuar atë me 7 vjet burgim nga të cilat i mbetet për të vuajtur dhe 4 vjet, 1 muaj e 14 ditë burgim.

 

Gjithashtu është vënë në pranga në Gjermani shtetasi Alban Memetaj, 40 vjeç, lindur në Vlorë dhe pritet ekstradimi i tij drejt vendit tonë. Ai është dënuar nga Gjykata e Apelit të Vlorës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi në vitin 2017, në banesën e tij, në zonën e quajtur “Uji i ftohtë”, policia gjeti dhe sekuestroi 211 kg lëndë narkotike kanabis.

 

 

Është vënë në pranga në Greqi një shtetas tjetër me iniciale E.C 30 vjeç i lindur në Tepelenë, ku Gjykata e Apelit të Gjirokastrës i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi më 23 Mars të vitit të shkuar, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në banesën dhe në automjetin e këtij shtetasi, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde narkotike kanabis.

 

Policia ka prangosur një 47 vjeç nga Puka i quajtur Xhevahir Kuçi në Francë. Ai është dënuar me 1 vit burgim nga Gjykata e Apelit të Shkodrës, për veprën penale “Dhuna në familje”.