Në Elbasan nisi sot fushata e “Tetorit rozë” me sloganin “Ia vlen të jetosh”, që ka për qëllim ndërgjegjësimin për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Në ceremoninë e zhvilluar e këtë rast ishte e pranishme ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, gra dhe vajza, etj.
Në fjalën e saj ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se “për fat të keq kanceri i gjirit është një sëmundje që po përhapet, shifrat tregojnë që ka rritje të numrit të rasteve të grave dhe vajzave të prekura nga tumori”.
Ministrja Koçiu u shpreh se, “duhet të rrisim shumë ndërgjegjësimin, sepse mjekësia rekomandon që nëse ne arrijmë ta kapim herët, ta diagnostikojmë më herët, shanset janë shumë të mëdha për të dalë fitimtarë me sukses”.
“Shifrat tregojnë se 99 % e rasteve të zbuluara herët mund të shpëtojnë jetën. Gjithçka që duhet të kuptojmë na i thonë këshillat e thirrjet e vazhdueshme të mjekëve që përballen me raste që shtohen. Ndaj duhet të rrisim sa më shumë ndërgjegjësimin për të luftuar këtë sëmundje”, nënvizoi Koçiu.
Ministrja Koçiu i bëri apel të gjitha grave dhe vajzave të kujdesen për veten, për të bërë një ekzaminim, një ekografi, një mamografi të domosdoshme për të shpëtuar jetën e tyre.
Më tej Koçiu tha se, “zgjodhëm për të hapur në Elbasan “Tetorin rozë”, por ashtu si e thamë për fat të keq në këtë qytet nuk i kemi shifrat me ne, që do të thotë se rastet janë shtuar dhe këto raste rezultojnë më së shumti në kohën kur sëmundja ka filluar të fitojë terrenin e saj në trupin e gruas”.
“Dua të theksoj edhe njëherë se sa e rëndësishme është të bëjmë kontrollet në kohën e duhur dhe ta kapim këtë sëmundje në fazat fillestare. Kjo thirrje do të jetë gjatë “Tetorit rozë”, por në fakt nuk duhet të jetë vetëm gjatë këtij muaji, por duhet të jetë çdo ditë dhe muaj të vitit”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu informoi se “çdo ditë nga 1-31 tetor nga e hëna në të premte, nga ora 8:00 të mëngjesit deri në 20:00 të mbrëmjes dhe të shtunën nga ora 8:00 e mëngjesit deri në 14:00 do t’iu mundësohen kontrollet në spitale apo qendrat pranë vendbanimit që ofrohen falas”.
Po ashtu Koçiu tha se, “këtë vit ka një risi në fushatën për “Tetorin rozë”, pasi gratë dhe vajzat që duhet të kryejnë ekzaminimin do të njoftohen përmes portalit e-Albania, si edhe në celular”./ata