Sot është Dita Botërore e Sindromës Down, e shpallur në dhjetor 2011 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale theksoi se “MSHMS mbetet e përkushtuar në ndihmë të personave me Sindromën Down, ku rreth 13,000 fëmijë me aftësi të kufizuara përfitojnë nga programi i mbrojtjes sociale në të gjitha bashkitë e vendit”.

“20 shërbime në mbështetje të tyre janë ngritur pesë vitet e fundit nëpërmjet Fondit Social si dhe rreth 8 qendra zhvillimi për aftësinë e kufizuar”, tha Koçiu.

Ministrja Koçiu u shpreh se “të gjithë personat me aftësi ndryshe, siç edhe ata me sindromën Down, meritojnë nga çdo njëri prej nesh, mbështetje, trajtim të barabartë dhe krijimin e të gjitha mundësive për të zhvilluar talentin dhe potencialin e tyre”.

Sindroma Down ndodh kur një individ ka një kopje shtesë të pjesshme ose të plotë të kromozomit 21. Incidenca e vlerësuar e sindromës Down është midis 1 në 1000 deri në 1 në 1100 lindje të gjalla në mbarë botën. Çdo vit, rreth 3,000 deri në 5,000 fëmijë lindin me këtë çrregullim kromozomik.

Cilësia e jetës së njerëzve me sindromën Down mund të përmirësohet duke plotësuar nevojat e tyre për kujdesin shëndetësor, duke përfshirë kontrolle të rregullta me profesionistë shëndetësorë për të monitoruar gjendjen mendore dhe fizike dhe për të ofruar ndërhyrje në kohë, qoftë fizioterapi, terapi profesionale, terapi të folurit, këshillim apo edukim special./ata