Mijëra vizitorë vendas e të huaj kanë treguar interes për trashëgiminë kulturore dhe traditat shqiptare të ekspozuara në Muzeun Etnografik të Krujës.
Në dy muaj nga rihapja e tij, pas restaurimit të kryer në kuadër të programit EU4Culture të financuar nga Bashkimi Europian zbatuar nga UNOPS në partneritet të ngushtë edhe me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në muze ka pasur një fluks të lartë vizitorësh çdo ditë.
Drejtori i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeut Etnografik, Krujë, Mehdi Hafizi tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “në dy muaj nga rihapja muzeu Etnografik u vizitua nga rreth 10 mijë vizitorë vendas e të huaj”.
Sipas tij, përveç vizitorëve vendas, një numër të lartë zënë edhe vizitorët e huaj si italianë, francezë, amerikanë, spanjollë, polakë etj.
Hafizi u shpreh se “pas restaurimit muzeu tashmë është një ndalesë e pashmangshme për vizitorët në qytetin e Krujës. Ai u ofron vizitorëve një pamje unike të kulturës dhe traditave shqiptare. Me rreth 1000 artefakte, ekrane multimediale dhe ekspozita interaktive, vizita në muze sjell një përvojë tërheqëse për të gjitha moshat”.
Hafizi vë në dukje se Muzeu Etnografik i Krujës ofron një eksperiencë të prekshme nëpër traditën dhe zakonet e shtëpisë shqiptare përgjatë shekujve.
“Ky muze klasifikohet si një monument kulture i kategorisë së parë, i vlerësuar gjerësisht për karakterin e pastër ballkanik dhe për ndjesinë unike të thjeshtësisë rurale. Shtëpia-muze ka një total prej 15 dhomash, secila me funksionin, kompozicionin dhe simbolikën socio-etnografike përkatëse. Shumë vizitorë, vendas dhe të huaj, e vizitojnë Muzeun Etnografik si një pjesë të rëndësishme të turit të tyre në qytetin historik të Krujës”, theksoi Hafizi.
I vendosur në rezidencën historike të familjes Toptani, e ndërtuar në vitin 1764, ky muze paraqet trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë.
Muzeu Etnografik i Krujës është një ndërtesë e tipit “çardak”. Në mjediset e brendshme, si edhe tek objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë e zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës, duke filluar që 300 vjet përpara.
Ceremonia e rihapjes së Muzeut Etnografik në Krujë u zhvillua më 23 korrik të këtij viti./ata