Për të gjashtin vit radhazi në vendin tonë organizohet kampi veror në Spaç nga Komisioni për Drejtësi e Paqe dhe fondacioni gjerman Maksimilian Kolbe.

Në mjediset e ish-burgut komunist të Spaçit, do jenë të pranishëm të rinj nga disa vende të Europës dhe Shqipëria për të mësuar më shumë për historinë e vendit tonë në komunizëm dhe si kanë jetuar të burgosurit në Spaç.

Për 4 ditë ata do të vizitojnë kampin ndërsa do të shoqërohen dy ish të burgosur që do ju tregojnë si ndërtohej puna dhe si mbijetuan të dënuarit, kush u pushkatua dhe si shkeleshin të drejtat e njeriut.

Në një konferencë të mbajtur për shtyp kancelari në Kryedioqezën Tiranë-Durrës, foli për organizimin e këtij kampi, ndërsa pati dhe një thirrje për politikën.

“E dini që Spaç është një burg shumë i izoluar dhe i fshehur, megjithëse është një minierë që është ende aty. Për mua është një turp që të nxjerrësh para nga aty”, tha Henricus Veldkamp, kancelari në Kryedioqezën Tiranë-Durrës.

Luigji Mila, kryetar i Shoqatës Muzeumi i Burgut të Spaçit foli për rëndësinë e këtij kampi veror në Burgun e Spaçit

Ndërsa  këshilltari për të drejtat e njeriut për Komisionin Gjerman për Drejtësi dhe Paqe, Bern Hirschberger mes të tjerash shtoi se historia e këtij burgu është e rëndësishme për të ardhmen.

“Tashmë të gjithë duan të dinë se si do të jetë burgu në të ardhmen dhe çfarë mund të flitet nga historia për brezat e ardhshëm. Ndërsa momoria venitet, shumë ndërtesa po fillojnë që të bien dhe kjo është një pyetje që duhet të ja bëjmë vetes se si do bëhet me këtë çështje”, – tha ai.

Sakaq dy ish të burgosurit në këtë burg, teksa treguan për mikrofonin e Euronews Albania, vuajtjet e asokohe thanë se është e rëndësishme që të rinjtë të vlerësojnë lirinë.

“Janë shumë njerëz që thonë që nuk ka mundësi që të ketë qenë gjithë ajo vuajtje. Jam dënuar vetëm se kam dashur me ik”, tregon Xhavid Lohja, ish-i burgosur politik.

Kampi i riedukimit të Spaçit, përveç pozicionit jo të favorshëm gjeografik për të lejuar arratisjen, kishte një survejim të jashtëzakonshëm me polici e ushtri. Vigjilenca e komandës së repartit shuante çdo shpresë për t’u larguar nga ai ferr. Disa tentuan, disa arritën ta kalojën barrierën, por përsëri u kapën në arrati dhe u ekzekutuan për t’u bërë shembull për të burgosurit e tjerë./Tema