Kombëtarja e Shqipërisë në futboll luan këtë tetor dy ndeshjet e radhës në Grupin B1 të Ligës së Kombeve. Më 11 tetor kuqezinjtë luajnë në Pragë kundër Çekisë, ndërsa tre ditë më vonë (14 tetor) luajnë po në udhëtim, këtë herë kundër Gjeorgjisë që afro një muaj më parë na mposhti në "Air Albania".
Trajneri Sylvinho është duke përgatitur detajet finale nga lista me emrat që do ketë të grumbulluar, teksa një vend në ekipin e parë për Adrion Pajazitin. Kapiteni i U-21 ka luajtur 13 ndeshje dhe ka shënuar tetë gola me Shpresat, andaj një vend në ekipin A nuk është surprizë për lojtarin e Gorica në Kroaci.
Lëndimi i Medon Berishes dhe mungesa e tij në dy ndeshjet e radhës, ka bërë që braziliani me pasaportë shqiptare të ftojë në ekip mesfushorin që shihet si e ardhmja e Kombëtares.
Ndërkohë mësohet se edhe Ernest Muçi e ka marrë ftesën për këto dy ndeshje, me sulmuesin e Besiktas që mungoi në grumbullimin e parë. Në dy ndeshjet e para të Ligës së Kombeve, tanët kanë një fitore (Ukraina) dhe një humbje (Gjeorgjia), ku me tri pikë gjenden në pozitën e dytë, pas Gjeorgjisë (6 pikë)./Shqiptarja