Autoriteti Rrugor Shqiptar do të rishpallë tenderët për punime dhe mirëmbajtje rrugësh për 2 rajone të vendit.
Procedurat e prokurimit u hapën fillimisht në muajin qershor për 4 rajonet, por pas zhvillimit për Rajonin Qendër Lindje Korçë dhe Qendër Perëndim Tiranë, tenderët për kontratat e mirëmbajtjes do të rishpallen, çka sugjeron mosfinalizimin me sukses të tyre gjatë fazës së parë.
Sipas planifikimit të ARRSH-së, fondi limit për rajonin Qendër Lindje Korçë do të jetë 541.2 mln lekë, ndërkohë që për rajonin Qendër Perëndim Tiranë, 250 mln lekë.
Mirëmbjatja e rrugëve nacionale të vendit ndahet në 4 rajone, teksa zhvillimi i procedurave përkon me përfundimin e kontratave për shërbimin e mirëmbajtjes me performancë të rrugëve, të lidhura në vitin 2020. Mirëmbajtja rutinë konsiston në detyra, siç janë riparimet e gropave, pastrimi i drenazhimeve, vulosja e plasaritjeve, prerja e vegjetacionit, etj.
Ndërkohë që, mirëmbajtja periodike konsiston në masa më të kushtueshme, në mënyrë që të parandalohet degradimi i rrugëve, siç është nivelimi, drenazhimet, rimbushjet, mbishtresat me asfalto – beton, etj./Scan