Importimi masiv i automjeteve po ndikojnë pozitivisht në të ardhurat e kompanive të sigurimeve përmes sigurimit të detyrueshëm motorik. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, gjatë 8 muajve të parë të vitit, kompanitë e sigurimit kanë arkëtuar rreth 9.8 miliardë lekë, një rritje prej 8.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nga ana tjetër, të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor tregojnë se numri i automjeteve të importuara gjatë periudhës janar-gusht ka arritur në rreth 70 mijë.
Pas pajisjes me dokumentet përkatëse, këto automjete u nënshtrohen procesit të sigurimit motorik, e cila fillon përllogaritet në bazë të vitit të prodhimit të mjetit por edhe nga fuqia motorike e cila është në varësi të kategorive.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i automjeteve të importuara ka shënuar një rritje prej gati 29%, faktor ky kryesor për rritjen e primeve të sigurimit të detyrueshëm motorik nga kompanitë e sigurimit.
Muajin e kaluar, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratoi një rregullore të re për llogaritjen e primeve të sigurimit, e cila do të bazohet në historikun e aksidenteve të drejtuesve të automjeteve. Kjo rregullore e re pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën e funksionimit të tregut të sigurimeve./Scan