Bashkimi Evropian ka konfirmuar mbështetje të dedikuar për Komisionin e Posaçëm parlamentar “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar deziformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”, bëri të ditur sot Kuvendi me anë të një njoftimi.

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, në takimin e Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali me drejtues të institucioneve të pavarura e kushtetuese, u shpreh se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të qëndrojë pranë institucioneve shqiptare në rrugëtimin e tyre drejt integrimit evropian.

Në këtë kontekst, ambasadori komunikoi një program të dedikuar, që synon të forcojë kapacitetet e integrimit dhe të nxisë një dialog ndërparlamentar me shoqërinë civile dhe median, si një iniciativë drejt një Shqipërie më transparente dhe më demokratike, që aspiron për një të ardhme të qëndrueshme në familjen evropiane.

Workshop-i dyditor nga TAIEX, i cili do të shoqërohet nga një seri misionesh ekspertësh, do të trajtojë tematika që synojnë të gjitha objektivat e përcaktuara nga Komisioni, si dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian në këtë fushë.

Draftaxhenda është hartuar dhe konsoliduar nga strukturat e BE-së në Tiranë dhe Bruksel, me fokus në ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike dhe dezinformimin./ata