Tetori, mes të tjerash, është edhe muaji i filmit të restauruar shqiptar, në COD.

Qendra për Hapje dhe Dialog në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit do të sjellin për publikun filmdashës një cikël prej katër filmash shqiptarë të restauruar.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit fton në një udhëtim në kohë për të zbuluar trashëgiminë tonë kulturore kinematografike, duke e ruajtur dhe e ekspozuar atë për të gjitha brezat.

Gjatë muajit tetor në COD do të shfaqen filmat: “Tomka dhe shokët e tij”, “Përrallë nga e kaluara”, “Vdekja e kalit” dhe “Gjeneral Gramafoni”.

“Tomka dhe shokët e tij” ishte filmi i parë që çeli këtë muaj të filmit të restauruar. Në mesditë në COD u projektua historia e katër fëmijëve që ndihmojnë partizanët duke sabotuar ushtarët gjermanë, të cilët u kanë zënë fushën e tyre të futbollit.

Filmi, prodhim i Kinostudios Shqipëria e Re i vitit 1977, me regji të regjisores së shquar për filmat për fëmijë Xhanfize Keko dhe me skenar të Nasho Jorgaqit, solli edhe një herë përpara publikut një kast aktorësh që ishin frymëzim i fëmijërisë së kohës./ata