Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit uroi sot shkrimtaren dhe skenaristen Natasha Lako, e cila feston ditëlindjen. “I urojmë jetë të gjatë sot, në ditën e lindjes poetes së vargjeve plot jetë!”, shkroi QKLL, në faqen e saj online.
Natasha Lako lindi në Korçë më 13 maj të vitit 1948. Ajo ende mbetet aktive, si një nga zërat e lirë dhe të pavarur, përfaqësuese e shkëndijave të para të feminizmit shqiptar dhe një nga penat më të veçanta të poezisë shqipe.
Emri i Natasha Lakos hyri në letërsi, pas botimit të poezive të saj të para në gazetën “Drita”, në moshën-16 vjeçare, si vajzë ende e panjohur nga qyteti i Korçës. Autore e tetë vëllimeve me poezi, fituese e disa prej çmimeve më të rëndësishme kombëtare të poezisë, si çmimin “Migjeni” për vëllimin poetik “Yllësia e Fjalëve” në 1987, Natasha Lako është përfaqësuese e brezit të parë femëror të letërsisë shqipe.
Poezitë e saj gjenden të botuara në disa antologji të poezisë botërore dhe janë përkthyer në disa gjuhë. Kreu studimet për Gazetari, pranë Universitetit të Tiranës, duke nisur karrierën profesionale si mësuese letërsie, gazetare, redaktore, skenariste filmi me mbi 15 skenarë, shkrimtare në profesion të lirë, dhe më tej si drejtoreshë e Arkivit të Filmit Shqiptar. Gjithashtu ka qenë edhe dy herë deputete pas rënies së regjimit monoteist.
Duke vijuar aktivitetin e saj publik, politik dhe eseistik, vazhdimisht e pranishme në shtypin e ditës, por edhe atë të specializuar kinematografik dhe kulturor, Natasha Lako mbetet një nga zërat e lirë dhe të pavarur dhe një nga penat më të veçanta të poezisë shqipe./ata