Skema Kombëtare e Investimeve në Ferma dhe Akuakulturë 2024 është e hapur për të gjithë fermerët që të përfitojnë mbështetje financiare në masën 50 % të vlerës së investimeve në sektorët e serrave, blegtorisë, mekanikës bujqësore, akuakulturës, rrjetave antibreshër.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj informoi gjatë një interviste televizive, se skema e investimeve është diskutuar në qeveri që në fillim të vitit 2024 dhe Akti Normativ mundësoi jo vetëm fond për këtë vit, por edhe një tavan buxhetor për vitin tjetër.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm, – vuri në dukje ajo, – që nevojat për investime në bujqësi nuk janë për 500 milionë lekë, por kemi menduar që për një periudhë më shumë se një vit e gjysmë të jetë një fond prej 15 milionë euro për bujqësinë.”

Denaj informoi se për përthithjen sa më të mirë fondeve nga kjo skemë këtë vit do të aplikohet 30% e financimit paraprak për aplikantët fitues.

“Skema përfshin të gjithë fermerët. Ne sot kemi një numër prej 97 mijë fermerësh me NIPT që janë të angazhuar në sektorë të ndryshëm të bujqësisë dhe i bën ato ata potencialisht përfitues të mbështetjes me grante”, tha Denaj./ata