Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me moton “Ia vlen të jetosh” po vijon fushatën e ndërgjegjësimit për kryerjen e kontrollit të mamografisë, me qëllim parandalimin e kancerit të gjirit.

Për të gjitha ato gra të cilat nuk kanë mundësi të shkojnë tek mjeku apo pranë një qendre shëndetësore edhe gjatë këtij viti prioritet i është dhënë dërgimit të njësive të lëvizshme të mamografisë në zonat rurale dhe të largëta.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se, “dy njësi të lëvizshme vizitojnë fshatrat dhe qytetet e të gjithë Shqipërisë për të ofruar kontroll të plotë të gjirit. Sot, këto njësi lëvizëse do të jenë në qytetin e Kukësit dhe Lushnjës, duke i dhënë mundësi grave në këto zona të bëjnë kontrollin e gjirit falas dhe me akses të lehtë”.

Sipas Koçiut, tashmë për vizitën e mamografisë në njësitë lëvizëse nuk është i nevojshëm rekomandimi nga mjeku i familjes.

Tetori Rozë është muaji ndërkombëtar i ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit. Gjatë këtij muaji, organizohen fushata për të inkurajuar gratë që të kryejnë kontrolle të rregullta, si mamografia, që ndihmojnë në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Programi i Depistimit Kombëtar, shtrirja e mbulimit me mamografi falas në të gjithë territorin, përfshirja e barnave të reja moderne si herceptina në listën e barnave të ofruar falas nga shteti, zgjerimi i kabineteve onkologjike në Spitalet Rajonale, kanë çuar në rritjen e numrit të diagnostikimeve të hershme, si dhe në uljen e numrit të fataliteteve./ata