Protesta e 7 tetorit mund të zgjasë më shumë sesa një ditë dhe mund të jetë më shumë sesa një protestë, por lidershipi demokrat është hermetik për skenarët e protestës, që kanë për qëllim krijimin e një qeverie teknike para zgjedhjeve.
Detajet mungojnë, sepse demokratët nuk duan që qeveria të jetë e përgatitur për skenarët e protestës. Madje nënkryetari PD Gazment Bardhi beson se ky është një sekret i ruajtur mirë.
“Nuk besoj se Rama e di çfarë do të ndodhë, se po ta dinte zemërimin e qytetarëve nuk do të sillej në këtë formë me opozitën, me qytetarët. Është detyrë e PD t’i prijë këtij zemërimi. Ajo që mund të them me siguri është se çfarë po ndodh me demokracinë në vend, kërkon një reagim të fortë.
Ne kemi ftuar qytetarët, që të reagojnë për t’i dhënë mesazhin kryeministrit se atë që e kemi fituar 34 vite më parë nuk mund ta humbim lehtë”, – tha Bardhi në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, në RTSH.
E vetmja gjë e konfirmuar deri tani është se nuk do të ketë fjalime. Dhe, sipas historisë së përsëritur të demokratëve, kur nuk ka fjalime, ka veprime.
“Pretendoj një protestë masive dhe me njerëzit e duhur për ta vazhduar atë. Situata dikton një reagim të vazhdueshëm të qytetarëve për të ndryshuar këtë realitet.
Vendimi ynë politik është për protesta të qëndrueshme dhe të vazhdueshme", tha ai.
Por a ka në plan opozita që të bllokojë rrugët apo pika strategjike si portet dhe aeroportin?
Bardhi la të hapur çdo veprim.
“Ne nuk përjashtojmë asnjë prej këtyre skenarëve”, tha Gazment Bardhi në RTSH, duke i dhënë një përgjigje jo shumë optimiste pyetjes, nëse krijimi i qeverisë teknike është apo jo një qëllim i arritshëm.
“Është apo jo i arritshëm, kjo mbetet për t’u parë, por unë besoj se Shqipëria në vitin 2025 ka nevojë për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme.”/Tema