Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka deklaruar, ditën e sotme se ka kërkuar përjashtimin e çdo punonjësi të Policisë së Shtetit që mund të ketë pasur akses në rrjetet “Sky” apo “EncroChat”.

 

Balla u shpreh se SPAK po zhvillon hetime të thelluara, ndërsa nënvizoi se beson se shumë shpejt do të ketë disa rezultate konkrete për vetëpastrimin e Policisë së Shtetit.

 

“Kemi një numër të konsiderueshëm të punonjësve të policisë të arrestuar për shkak të shkeljeve, ku ka edhe shkelje të procedurave të kalimit kufitar. Procesi i vetëpastrimit të Policisë është një prej çështjeve më të rëndësishme që unë vlerësoj që janë pjesa e kalimit të policisë në një nivel tjetër, ku qytetarëve të ju kthehet besimi tek policia.

 

Në këto 30 e kusur vite ka pasur dhe ka punonjës policie të cilët rezultojnë të jenë të përfshirë ose në kontakte me botën e krimit dhe duhet të ju informoj se i kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore që ne të kemi informacionin sa shpejt të jetë e mundur dhe po e them këtu në Kuvendin e Shqipërisë që për çdo punonjës Policisë së Shtetit, i cili do të rezultojë të ketë pasur akses në rrjetet e komunikimit, qoftë “Sky” apo “EncroChat” do të përjashtohet nga Policia e Shtetit edhe në rast se në ato komunikime nuk rezulton të ketë një aktivitet kriminal, por thjesht dhe vetëm fakti që ka aksesuar një rrjet të tillë, kjo është pjesë e angazhimit tim që ditën e parë të punës që lidhet me Kodin Etik të Policisë së Shtetit.

 

SPAK po zhvillon hetime të thelluara dhe besoj se shumë shpejt do të kemi disa rezultate konkrete, ku do të vetëpastrohet jo vetëm policia prej tyre, por edhe shoqëria. Vetëpastrimi është i rëndësishëm dhe pastaj që mbi bazën e këtij lloj vetingu të ri në Policinë e Shtetit, të krijojmë një strukturë të re të Policisë së Shtetit dhe këtu dua ta informoj Kuvendin me një njoftim që kam bërë dje për krijimin e një strukture të re brenda Policisë së Shtetit. Ne do të kemi një Forcë Kombëtare të Sigurisë Publike, e cila do të riparojë efikasitetin dhe eficencën e policisë në nivel vendor”- tha Balla.