Për herë të parë u organizua në Shqipëri Mini Festivali i Indisë, një ngjarje që prek dy aspekte spektakolare të kulturës indiane: kuzhinën e pasur dhe arkitekturën e një vendi të lashtë dhe plot tradita.
Në përkujtim të Ghandit, Pallati i Brigadave priti mbrëmjen ekskluzive të kuzhinës indiane “Kitchen of the Kings”, shoqëruar nga një pjesë muzikore në piano nga Aulon Naci dhe interpretimin e disa vargjeve nga Vvasjan Lame.
Ansambli popullor përshëndeti ceremoninë festive me ‘K’cimin e Tropojës’ dhe mbrëmja vijoi me shijimin e pjatave të kuzhinës së Rampurit të Indisë.
Në këtë cermeoni mori pjesë edhe Ministri Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja si dhe personalitete të tjera të politikës, kulturës dhe artit.
Gjatë këtyre ditëve, në Universitetin Politeknik të Tiranës u hap ekspozita “Odisea e Arkitekturës së Indisë”, e cila ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse mbi arkitekturën indiane dhe evoluimin e saj gjatë pesë dekadave të fundit.
Ky aktivitet, i kuruar nga CP Kukreja Foundation dhe Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, solli një platformë për të adresuar sfidat globale si ndryshimet klimatike dhe urbanizimi i qëndrueshëm.
Ngjarja shënoi pikënisjen e mundësive për shkëmbime dhe investime midis Shqipërisë dhe Indisë, dhe frymëzoi horizonte të reja bashkëpunimi në fushën e kulturës dhe arkitekturës.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Konsulli i përgjithshëm i nderit të Shqipërisë në Indi, Dikshu Kukreja./ata