Në vendkalimin kufitar Deve Bair midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është mbajtur një ceremoni për të shënuar fillimin zyrtar të rindërtimit dhe rikonstruktimit të këtij vendkalimi.
Në këtë ngjarje ishin të pranishëm kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, zv/kryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, drejtori i Bankës Botërore, Massimiliano Paolucci dhe drejtori i Drejtorisë Doganore, Boban Nikolovski.
Në kuadër të Projektit të Bankës Botërore për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor, Administrata Doganore si përdorues përfundimtar dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit, filloi me realizimin e punimeve ndërtimore në pikat kufitare rrugore nga Korridori 8, respektivisht në pikat kufitare Deve Bair dhe Kafasan.
Vlera e përgjithshme për realizimin e fazës së parë të këtyre projekteve është 118 milionë denarë, prej të cilave 96 milionë denarë janë për rindërtimin dhe rikonstruktimin e pikës kufitare Deve Bair dhe 22 milionë denarë për pikën kufitare Kafasan, ku gjithashtu kanë nisur aktivitetet ndërtimore, të cilat duhet të përfundojnë brenda një periudhe 6 mujore.
Siç njofton qeveria e Maqedonisë së Veriut, kryeministri Mickoski në fjalën e tij në ceremoninë e organizuar në Deve Bair tha se qeveria e tij tregon një vendosmëri të qartë se "çdo pikë e vendit është e rëndësishme për ne dhe nuk do të lëmë asnjë pikë që nuk do të rindërtohet dhe rinovohet".
"Duhet të theksojmë se qytetarët e Maqedonisë, që do ta paguajnë këtë kredi, do të kenë një vendkalim kufitar modern, do të kenë edhe pika moderne kufitare ku do të kemi një punë më efikase të Drejtorisë Doganore", tha Mickoski.
Siç parashikohet, projekti për rindërtimin dhe rikonstruktimin e pikës kufitare Deve Bair do të zhvillohet në dy faza. Procedurat për import, eksport dhe transit do të zhvillohen në një vend, gjë që do të jetë lehtësim për operatorët ekonomik dhe do të kontribuojë në shkurtimin e kohëzgjatjes së procedurave./aa