Një delegacion i lartë i Republikës së Türkiyes, i kryesuar nga ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Abdulkadir Uraloğlu, ka vizituar sot zonën e fshatit Buturoviq Polje afër Konjicit në Bosnjë dhe Hercegovinë pas përmbytjeve katastrofike që goditën vendin.

Ministri shoqërohej nga ambasadori turk në Bosnjë dhe Hercegovinë Sadık Babür Girgin, zëvendëskryetari i Agjencisë Turke për Menaxhimin e Emergjencave (AFAD) Hamza Taşdelen, përfaqësues të institucioneve turke në BeH, ndërkohë që delegacioni u prit nga kryetari i Konjicit, Osman Çatiq.

Ekipe të shumta shërbimesh kompetente dhe vullnetarësh po punojnë edhe sot për pastrimin e terrenit dhe kërkimet për personat e zhdukur janë ende në vazhdim, ndërsa me kalimin e kohës, po dalin në dritë gjithnjë e më shumë dimensionet e fatkeqësisë që goditi këtë zonë.

Ministri Uraloğlu kujtoi se informacionet i ka marrë drejtpërdrejt nga zyrtarët lokalë, mbi të gjitha nga kryetari i Konjicit Çatiq, duke thënë se sasia e reshjeve për metër katror ishte e madhe, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 20.

“Ekipet dhe përfaqësuesit e AFAD-it tonë, TIKA-s dhe Gjysmëhënës së Kuqe kanë qenë në terren që në fillim dhe fillimisht kanë përcaktuar prioritetet për ndihmën ndaj zonave të prekura. Në fazën e parë, u angazhuan makinat e punës nga kompanitë turke që punojnë në terren në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe për këtë zonë na kanë njoftuar se 15 familje kanë mbetur pa shtëpi. Me disa kam biseduar, ata nuk duan të largohen nga ky vend, kështu që në radhë të parë duhet t'u sigurojmë akomodim të përkohshëm”, tha Uraloğlu.

 

- Kontejnerë banimi janë nisur nga Türkiye

Uraloğlu tha se 20 kontejnerë banimi tashmë janë nisur dhe se ato duhet të jenë në Bosnjë dhe Hercegovinë nesër falë AFAD-it.

“40 kontejnerët e mbetur po nisen sot dhe së shpejti do të jenë në këtë zonë. Ne folëm gjithashtu se çfarë mund të bëjë Türkiye kur është fjala për ndihmën e përhershme. Një nga mikpritësit tanë tha të mos i lëmë vetëm sot gjatë vizitës. Türkiye nuk do ta lërë kurrë Bosnjë dhe Hercegovinën vetëm”, tha Uraloğlu.

Ai rikujtoi se qytetarët dhe institucionet e Bosnjë dhe Hercegovinës i erdhën në ndihmë Türkiyes pas tërmeteve shkatërruese në shkurt të vitit 2023./aa