Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me homologun kroat Zoran Milanoviq.

Takimi midis dy presidentëve u zhvillua në kuadër të Procesit Bërdo Brione që këtë vit po mbahet në Tivat të Malit të Zi.

“Takim gjithnjë përmbajtësor me presidentin kroat Zoran Milanoviq. Mirënjohëse për mbështetjen e tij për një Kosovë të fortë, të sigurt dhe të përkushtuar drejt së ardhmes euroatlantike”, shkroi presidentja Osmani pas takimit.

Takimi vjetor i liderëve do të fokusohet në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rëndësinë e anëtarësimit të rajonit në BE.

Në sesionin kryesor të liderëve, presidentja Osmani do të flasë për përkushtimin e Kosovës për integrim të plotë në institucionet euroatlantike, për paqe dhe siguri të qëndrueshme, si dhe për bashkëpunim rajonal./aa