Zlatan Ibrahimovic u bë golashënuesi më i moshuar në histori të Serie A kur realizoi gol në humbjen e Milanit nga Udinese (3-1) të shtunën mbrëma.

 

Sulmuesi veteran me 41 vjet e 166 ditë është për 141 ditë më i moshuar se rekordmbajtësi i deritanishëm, Alessandro Costacurta, mirëpo nuk e ka dashur këtë nderim kur ka mësuar për epitetin e ri.

“Ai mund ta mbajë rekordin, nuk e dua këtë rekord”, ka bërë shaka Ibra në intervistën për Sky Sport Italia pas ndeshjes.

Zlatan shënoi nga pika e bardhë në riekzekutimin e penalltisë, të cilën fillimisht e kishte humbur dhe ky ishte goli i tij i parë prej se është kthyer nga lëndimi afatgjatë.

Ai ka shënuar në secilën nga katër dekadat e fundit duke nisur me Malmo (1999), Ajax, Juventus, Inter, Milan, Barcelona, Manchester United, Paris Saint-Germain, LA Galaxy dhe sërish me Rossonerët (2023). I njohur për deklaratat e tij me vetëbesim të lartë, Ibra ka realizuar mbi 570 gola, shumica prej tyre (mbi 500) në nivel klubesh.

“Jam krenar që jam në historinë e këtij klubi, sepse është një klub i madh me histori të madhe, lojtarë që kanë bërë gjëra të mrekullueshme dhe të kem emrin tim aty do të thotë shumë për mua”.

“Ky gol nuk solli pikë, gjë të cilën e doja. Unë isha gjithashtu krenar që isha kapiten, por loja nuk shkoi ashtu siç donim. Ndihesha shumë mirë në fushë, nuk kisha nisur një ndeshje prej 14 muajsh dhe e rëndësishme është të jem në formë të mirë. Nëse ndihem aq mirë sa sot, mund të luaj akoma, nuk kam asnjë dyshim për veten time”, ka deklaruar Ibrahimovic.