Në vorbullën e krizave politike që po kalojnë sidomos tre partitë më të mëdha të Greqisë, socialistët grekë votuan të dielën për kreun e ri të tyre, në një lëvizje për ndryshim pas zgjedhjeve për parlamentin europian, që i la ata përsëri në vendin e tretë të forcave politike të vendit.
Pas numërimit të 303.223 votave, në raundin e dytë kanë kaluar lideri i sotëm Nikos Andrulakis me 89,288 vota dhe një përqindje prej 29,64%, i ndjekur nga kryebashkiaku i Athinës, Haris Dhoukas me 64,490 vota ,ose 21,41%.
Më pas 4 kandidatët e tjerë kanë përqëndruar Pavlos Geroulanos 21,12% të votave, Anna Diamantopoulou 19,51%, Mihalis Katrinis 6,03% dhe Nadia Giannakopoulou 2,89%.
Raundi i dytë i zgjedhjeve do të zhvillohet të dielën e ardhshme.
Sipas analistëve në këto zgjedhje pjesëmarrja e socialistëve ka qenë gati 10% më e madhe se në vitin 2021, por përsëri shihet me mosbesim fakti në se kjo parti do të vazhdojë të rrisë përqindjet e saj në sondazhet që tashmë e rendisin në vendin e dytë dhe në se do të konkurrojë denjësisht konservatorët e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.
Për më tepër pritej një rritje e madhe e kësaj force politike në një moment kur Demokracia e Re regjistron një dobësim të konsiderueshme të saj në pushtet, ndërsa edhe partia e dytë opozitare SYRIZA, përballet me probleme ekzistenciale të cilat e kanë sjellë madje në vendin e katërt apo të pestë të sondazheve para zgjedhjeve për liderin e ri të saj, në javët e ardhshme.
Dobësia e madhe e socialistëve të PASOK-ut duket se është periferia më e madhe e vendit ajo e Attikës, ku lideri aktual Nikos Androulakis, por edhe tashmë rivali tij në raundin e dytë, kryebashkiaku i Athinës Haris Dhukas, duket se nuk kanë mbështetje nga votuesit./Tema