Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken u takua me Mbretin e Jordanisë, Abdullah II në Washington.
Gjatë takimit, Blinken shprehu kënaqësinë për partneritetin shumëvjeçar mes dy vendeve me rastin e 75-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike SHBA-Jordani, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.
Ai tha se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të rëndësishme për stabilitetin në rajon. Blinken potencoi vendosmërinë e SHBA-së për të punuar me partnerët jordanezë për të "përparuar paqen dhe sigurinë rajonale".
Blinken falënderoi Mbretin Abdullah për përpjekjet e Jordanisë për të ofruar ndihma humanitare për palestinezët në Gaza. Dyshja diskutoi gjithashtu çështjen e sigurimit të paqes dhe sigurisë së përhershme në Gaza.
Blinken nënvizoi angazhimin e SHBA-së për krijimin e një shteti të pavarur palestinez.
- Zv.presidentja e SHBA-së, Harris u takua me mbretin Abdullah të Jordanisë
Sipas deklaratës nga Shtëpia e Bardhë, zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris gjatë takimit të saj me Mbretin Abdullah II të Jordanisë falënderoi Jordaninë për ndihmën e dhënë për Gazën.
Gjatë takimit, Harris përsëriti qëndrimin e administratës së Washingtonit se "një operacion ushtarak nuk duhet të ndërmerret pa një plan të besueshëm për të garantuar dhe mbështetur sigurinë e më shumë se një milion njerëzve të strehuar në qytetin Rafah".
Të dy diskutuan mbi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit në Bregun Perëndimor. Harris theksoi se palestinezët kanë të drejtën e vetëvendosjes./aa