Foshnja që erdhi në jetë në makinë për shkak se u bllokua rrugës për në maternitet për shkak të protestës, gëzon shëndet së bashku me nënën e saj.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha mëngjesin e sotëm se falë ndërhyrjes së shpejtë dhe më pas kujdesit të ofruar nga stafi i SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”, nëna dhe vogëlushja sot gëzojnë shëndet të mirë.

Koçiu shprehu mirënjohjen për mjekët dhe infermierët e Spitalit Universitar të Traumës, të cilët i erdhën në ndihmë nënës dhe bebit që për shkak të protestës ditën e djeshme nuk arritën të mbërrinin në kohë në maternitet.

Mediet raportuan pasditen e djeshme se një grua ka sjellë në jetë fëmijën e saj në makinë, teksa ishte bllokuar në trafikun e Tiranës për shkak të protestës.

Mediet raportuan se radhët kilometrike e makinave në dhjetëra rrugë të Tiranës, e kanë bërë të pamundur për familjarin e saj që ta dërgojë drejt maternitetit.

Pasi ka lindur foshnjën, gruaja u dërgua drejt spitalit për të marrë ndihmë të specializuar./ata