6 vite më parë qeveria shqiptare e futi në listën e 100 fshatrave turistik. Por prej asaj dite dhe deri më sot, këtë status e gëzon vetëm në letër, pasi realiteti që të ofron fshati Drisht, vetëm 15 km larg Shkodrës, nuk ka nevojë për shumë komente.

E ndërtuar në shekullin e 13-të si një qendër bizantine, Kalaja e Drishtit që dikur njihej edhe përtej kufijve, sot ndonëse ndër të paktat kala që ende ka jetë, po sheh ditë pas dite rrënimin.

Brenda saj kanë mbetur vetëm 8 familje dhe ato pak investime të bëra për ndërtimin e rrugës dhe muzeut, nuk e ndryshuan realitetin dhe aq më pak jetesën e vështirë të banorëve.

“Ne kërkojmë një investim të më madh. Mos të harrojnë..ta kujtojnë a ka kala në Drisht”.

“Të na japin të drejtën ta riparojmë”.

Turistët që e vizitojnë janë të shumtë, por shërbimet që ofrohen janë minimale.

“Shkojnë investimet në kala të shkodrës, kur Drishti ka punuar me monedhë të vet në shekullin XII-XIII. Deri kur mund të durojnë. 8 fmailje jetojnë në skamje, në mjerim”.

Edhe pse një ndër perlat më të bukura natyrore, zona e Drishtit mbetet ndër më të varfrat në bashkinë e Shkodrës. Muzeu është pasuruar vetëm nga banorët, ndërsa aty mungon një ciceron. Duke u mbështetur në gërmimet arkeologjike mendohet se Drishti ka themel ilir ose romak./vizionplus.tv