Lini është një nga sitet arkeologjike më të vjetra në Evropë.

Zyra e BE-së në Tiranë, ndau sot në rrjete sociale pamje nga Lini teksa shkroi se, “ky vendbanim 8000-vjeçar po zbulon rrënjët e bujqësisë evropiane dhe dinamikën e përdorimit të tokës parahistorike”.

Një vendbanim prej rreth 30-40 shtëpish, i ndërtuar me lisa, pisha dhe pemë të mëdha dëllinje, ku jetonin afërsisht 400-800 banorë, hedh dritë mbi mënyrën se si njerëzimi kaloi nga një shoqëri gjuetarësh në fermerë. I banuar midis viteve 6.200 para Krishtit dhe 4.000 para Krishtit, dhe i vendosur në Lin të Pogradecit, ky vendbanim zbulon sesi jetonin njerëzit rreth 8.000 vjet më parë në banesat neolitike të liqenit, të njohura si palafite. Një ekspeditë arkeologjike zvicerano-shqiptare ka konfirmuar se siti është një ndër vendbanimet më të vjetra buzë liqenit në Evropë. Është gjithashtu një nga vendet e para ku bujqësia u përhap në Evropë nga Lindja e Afërt, fillimisht përmes Mesdheut dhe më pas drejt veriut në të gjithë kontinentin.

Drejtuesi i projektit, profesor Albert Hafner nga Universiteti i Bernës, shpjegon se kjo nuk do të thotë se vendbanimi ka qenë i banuar vazhdimisht për 2.000 vjet. Përkundrazi, disa fshatra janë ndërtuar në të njëjtin vend kohë pas kohe. “Popullsia ka përdorur rreth 300 pemë për të ndërtuar vendbanimin, që është një pyll i tërë. Qëllimi kryesor i projektit është të kuptojmë se si është zhvilluar bujqësia. Shtresat organike në zonat arkeologjike të ligatinave i ruajnë materialet shumë më mirë, duke ofruar informacione thelbësore mbi atë se si u përhap bujqësia në Evropë. Ne po gjurmojmë një moment kyç të këtij tranzicioni”, thotë ai, ndërsa ekipi i tij vazhdon një gërmim nënujor në liqenin e Ohrit pranë Pogradecit.

Kërkimi financohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit EXPLO, që synon të eksplorojë dinamikën dhe shkaqet parahistorike të ndryshimit të përdorimit të tokës në djepin e bujqësisë evropiane.

Vendbanime të ngjashme në Zvicër tashmë janë pjesë e listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, megjithëse janë 2.000 vjet më të reja. Profesor Hafner beson se zona e Linit e ka gjithashtu këtë potencial, por sugjeron që, duke qenë se Liqeni i Ohrit është tashmë një pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, “do të kishte më shumë kuptim që kjo zonë të integrohej në projektin ekzistues për liqenin”.

Gjatë gërmimeve është gjetur qeramikë dhe kocka, ndërsa studentë nga Gjermania, Austria, Franca dhe Shqipëria kanë bashkuar forcat, duke mbledhur një ekip evropian për të ruajtur këto gjetje prehistorike në Evropë.

Projekti EXPLO ka marrë fonde nga Këshilli Evropian i Kërkimeve (ERC) në kuadër të programit të Bashkimit Evropian për kërkimin dhe inovacionin “Horizont 2020”./ata