Aksi rrugor Elbasan-Qafë Thanë do të transformohet rrënjësisht në një rrugë me katër korsi, si pjesë e Korridorit 8, duke plotësuar të gjitha standardet.
Aktualisht në kantierin për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, faza 2, po punohet me ritme të mira, ku aktualisht ka përfunduar shpimi dhe betonimi i 400 pilotave.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale fotografi nga punimet që po kryhen në këtë aks të rëndësishëm, ku po vijon puna edhe për realizimin e mbrojtjes lumore dhe për ndërtimin e veprave të artit dhe mureve mbajtëse.
“Aksi rrugor Elbasan-Qafë Thanë është pjesë e Korridorit VIII dhe konsiderohet një nga më të rëndësishmit në vend, rrugë e cila do të lidhë aksin Durrës–Elbasan–Librazhd–Qafë Thanë, për të vazhduar më tej në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari”, u shpreh Kryeministri.
Gjatësia totale e aksit rrugor Elbasan – Qafë Thanë është 50.12 km.
Investitorit i është kërkuar që ndërtimi të ndahet në disa faza, duke e bërë më fleksibël realizimin e veprës, si nga ana menaxheriale, ashtu dhe nga ana ekonomike./ata