Në kuadër të procesit të decentralizimit, u nënshkruan sot marrëveshjet në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë, në një ceremoni të organizuar nga ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në ambientet e Kryeministrisë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj solli momente nga ky takim duke sqaruar se në fushën e bujqësisë, transferimi i disa përgjegjësive nga niveli qendror në nivel lokal, synon të forcojë autonominë vendore dhe të përmirësojë menaxhimin në bashkitë Berat, Shkodër, Divjakë dhe Kolonjë.

Sipas saj, katër janë drejtimet kryesore ku fokusohen marrëveshjet me këto katër bashki.

“Ofrimi i shërbimeve këshillimore në bujqësi dhe zhvillimin rural vetëm nga bashkitë, ose në bashkëpunim me MBZHR dhe AREB; bashkëpunimi për administrimin e kanaleve të ujitjes, kullimit dhe tokës bujqësore; transferimi i përgjegjësisë për administrimin e tokës bujqësore të ndodhur brenda juridiksionit territorial të bashkive, nga MBZHR tek bashkitë dhe konsultimi dhe zgjidhja e problematikave në bujqësi”, detajoi Denaj.

Ministrja Denaj, në fjalën e saj  theksoi se ky proces është një  mundësi për të vijuar një proces shumë të rëndësishëm i nisur 10 vite më parë,  ku në fokus ka qytetarin, bujkun, blegtorin për më shumë shërbime në fushën e këshillimit nga ekcesionistët apo atë veterinar.

“Brenda konceptit bashki të forta është një proces i mirëpritur, besoj për të gjitha bashkitë, të cilat nuk do të marrin vetëm buxhet edhe personel nga ne. Ne duhet të kuptojmë që kjo është një punë e përbashkët, nuk është vetëm decentralizim funksionesh, dhënie buxheti apo dhënie kompetencash, është një bashkërendim i veprimeve për të shkuar drejt një shërbimi më të mirë dhe drejt një vendimmarrje më të mirë”, u shpreh ministrja Denaj.

Ajo theksoi se kërkesat në në sistemin  e ujitje-kullimit janë shumë më të mëdha, ndaj dhe pjesë e marrëveshjes është bashkërendimi i aktiviteteve të ndërhyrjes në sisteme të ujitje-kullimit për të siguruar toka në funksion të punës së fermerëve dhe të prodhimit për të arritur ato objektiva si eksporte 1 mln dollarë në 2030.

Ministrja  shprehu falënderimet e saj për kryetarët e bashkive të cilët kanë  dhënë një kontribut të rëndësishëm përgjatë këtij muaji që MBZHR po prezanton Skemën Kombëtare të Investime, në një komunikim të drejtpërdrejtë me fermerët dhe blegtorët.

Projekti pilot në Shkodër, Berat, Divjakë dhe Kolonjë synon të testojë modele të reja të decentralizimit dhe të riorganizimit të shërbimeve bujqësore.

Marrëveshjet e firmosura sot në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë janë një tjetër hap përpara në kuadër të reformës së decentralizimit të kompetencave drejt pushtetit vendor./ata