Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vijon fushatën ndërgjegjësuese për të mundësuar kontrollin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit në gjirit.

Përveç vizitave falas në 12 spitalet rajonale në gjithë vendin, në kuadër të “Tetorit Rozë” janë krijuar lehtësi për çdo grua në qytet dhe zonat rurale, për të kryer mamografi falas përmes njësive të lëvizshme shëndetësore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ripërsëriti apelin për kryerjen e kontrolleve falas.

“Kur ka qenë hera e fundit që ke bërë vizitën e ekos së gjirit? Këtë tetor, le të rikujtohemi edhe një herë për rëndësinë që ka shëndeti i mirë! Vizitohu sa më parë në strukturën spitalore më pranë vendbanimit tënd dhe kryej kontrollin e gjirit falas”, u shpreh Koçiu, ndërsa ndau një video informuese mbi spitalet rajonale ku mund të kryhen këto kontrolle.

Një tjetër risi në kuadër të kësaj fushate, janë edhe njësitë lëvizëse që po mundësojnë mamografi edhe në zonat më të thella të Shqipërisë.

Këto njësi të posaçme do të funksionojnë gjatë gjithë vitit, dhe përbëhen nga mjekë radiologë të kualifikuar, të cilët janë të ngarkuar me leximin dhe diagnostikimin e shpejtë të mamografive që do të bëhen në këto njësi lëvizëse.

Po ashtu, përmes platformës e-Albania ofrohen shërbime lehtësuese, për ta bërë më të lehtë dhe më të shpejtë procesin e kryerjes së këtyre kontrolleve.

Vajzat dhe gratë e moshës 30-50 vjeç do të marrin një mesazh njoftues në llogarinë e tyre në e-Albania, që do t’i kujtojë dhe do t’i ftojë për të bërë ekzaminimet e nevojshme. E njëjta gjë dhe për gratë nga mosha 50-70 vjeç, me synimin për të bërë periodikisht mamografinë e radhës. Përgjigjet për mamografitë do të vijnë tek pacientet gjithashtu përmes portalit e-Albania./ata