Në ekranin e “Auditorium”-it të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, u shfaq për herë të parë në format të digjitalizuar 4K filmi “Malet me blerim mbuluar”.
Filmi mban firmën e regjisorit Dhimitër Anagnosti dhe është prodhim i vitit 1971. Ekranizimi i tij u arrit falë bashkëpunimit të vazhdueshëm mes DPA-së dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF).
Në këtë vit mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit, DPA-ja synon që duke ruajtur kthjelltësinë ndaj ngarkesës ideologjike të kinematografisë shqiptare gjatë regjimit komunist, t’i njohë të rinjtë me të shkuarën e vendit. Arkivat synojnë të inkurajojnë të rinjtë që përmes kinematografisë, të njohin të shkuarën e vendit.
Ky projekt i përbashkët parashikon shfaqjen e 10 filmave që risjellin epopenë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Më herët drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido ka deklaruar se mesazhi që duan të përcjellin është shumë i rëndësishëm: kur atdheu është në rrezik, të rinjtë duhet të dalin përballë tij. Kjo ndodhi 80 vjet më parë, kur një grup të rinjsh dhe të rejash i dolën në mbrojtje atdheut, kur rrezikohej liria, dhe falë tyre sot kemi një vend të pavarur që mund ta drejtojnë vetë shqiptarët./ata