Zv. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Sokol Duma, përfaqësoi vizionin e MEKI në eventin prestigjioz të organizuar nga BPI France (Banka Publike e Investimeve), ku u diskutuan tema kyçe për inovacionin dhe ekonominë kreative në Evropë.
Gjatë MasterClass-it me temën “Ndërthurja e Kulturës dhe Inovacionit në Shqipëri”, Duma ndau vizionin e tij për një Shqipëri ku kultura dhe teknologjia bashkëpunojnë për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe turizmin.
Ai theksoi potencialin e madh të industrisë kreative në Shqipëri, që mund të sjellë 600-700 milionë euro të ardhura dhe të krijojë 70-80 mijë vende pune në vit.
Në fjalën e tij, Duma diskutoi rolin e inovacionit, me theks të veçantë tek Inteligjenca Artificiale (AI), dhe rëndësinë e përmirësimeve në infrastrukturën dixhitale dhe energjetike për zhvillimin e kësaj industrie. Inovacioni teknologjik dhe kulturor mund të çojë në zhvillime që ndryshojnë rrënjësisht ekonominë, ashtu siç kanë bërë në të kaluarën shpikjet revolucionare si shtypi apo televizioni.
Duke i lidhur këto përparësi me zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, Shqipëria është e përkushtuar për të promovuar destinacione natyrore dhe kulturore unike./ata