Komisioni hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi u zhvillua sot sërish mes debatesh e replikash nga përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës, ndërsa mbledhja u shty pas kërkesës së kryetares së Komisionit.

Kryetarja e komisionit, deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, bëri me dije se i ka dërguar një shkresë kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali ku i ka kërkuar zëvendësimin e Plarent Ndrecës i cili mban postin e zv/kryetarit si dhe prezencën e 5 deputetëve të përjashtuar nga radhët e opozitës, pas kaosit të zhvilluar në Kuvend.

“I kemi dërguar një shkresë kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali me firmat e deputetëve të PD, i kemi kërkuar pasi i kemi shpjeguar shkeljet e panumërta të bëra nga ana e deputetëve të këtij komisioni. I kemi kërkuar zëvendësimin e zëvendëskryetarit dhe sekretarit të Komisionit Hetimor, dhe të paralajmërojë 6 deputetët e tjerë të mayhorancës për detzrimet e tyre ligjore si anëtar të Komisionit Hetimor. Kërkojmë që 5 deputetët e përjashtuar të opozitës të jenë prezent deri në fund të komisionit. Nuk mund të funksionojë me rregulla si komisionet e përhershme një komision që ka një afat të përkohshëm. Kemi bërë kërkesë për përjashtimin e deputetëve dhunues, kemi përgatitur dhe kallëzim penal për këdo që ka penguar hetimin parlamentar dhe funksionimin normal të këtij komisioni hetimor”, u shpreh Vokshi.

Vokshi kërkoi që mbledhja të mos zhvillohet, deri në ardhjen e një përgjigjeje nga kryetarja e Kuvendit.

Vokshi tha më tej se javën që vjen të vijohet me planifikimin e mbledhjeve si dhe riplanifikimin e marrjes në pyetje të dëshmitarëve.

Por propozimi i kryetares së Komisionit, hasi fillimisht në kundërshtime nga radhët e mazhorancës, të cilët kërkuan kohë që të njihen me kërkesën e opozitës.

“Ju bëtë një kërkesë, por kërkesa nuk na është dërguar ne. Mendoj të na japësh kohë ta lexojmë kërkesën nëse vlerësohet nga kolegët se ka lidhje me punën e komisionit e marrim vendimin pas 10 minutash”, tha Ndreca.

Pas disa minutash pushim, dhe rikthimit të mbledhjes, zëvendëskryetari i Komisionit, Plarent Ndreca, bëri me dije se është dakordësuar me kërkesën e opozitës për mbylljen e mbledhjes për ditën e sotme.

“Ne nuk duam të bëjmë komision pa kolegët e opozitës, por me shkulje mikrofonash nuk i bëhet presion mazhorancës dhe punës së parlamentit. Opozita ka qene dhe është e ftuar të jetë në mbledhjet e komisionit ku nuk e pengon asgjë të marri pjesë, përveç vendimeve partiake të tyre”,- u shpreh Ndreca.

Në mbledhjen e sotme ishte parashikuar në rendin e ditës miratimi i procesverbaleve të datave 17, 20, 23, 24 dhe 30 shtator 2024 si dhe thirrja e dëshmitarëve Mimoza Dhëmbi, Reida Kashta, Alma Hiçka, Rovena Beqiraj./ata