Në vitet e fundit, sektori bankar ka rritur ndjeshëm portofolin e kredisë për prona. Në pjesën më të madhe, kreditë për pasuri të paluajtshme janë të siguruara me prona të lëna si kolateral në favor të bankave (në rastin më tipik, vetë prona e blerë me kredi).

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, kredia për pasuri të paluajtshme zë rreth 49 % të totalit të huadhënies për ekonominë.

Me bazë vjetore totali i kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme nga biznesi dhe individët u rrit në rreth 370 miliardë lekë, në fund të korrikut 2024, ose 33 % më shumë.

Sipas BSH-së, 53 % të kredisë për pasuri të paluajtshme e zë grupi i individëve dhe 47 % është kredi e dhënë për bizneset.

Dinamika më e zhvilluar për blerjen e pasurive të paluajtshme vihet re kryesisht në zonat bregdetare dhe në kryeqytet, teksa shënohet tendencë në rritje e kredisë së re për blerjen e banesave në monedhën euro./ata