Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u takua sot në Romë me drejtorin e përgjithshëm të FAO, Qu Dongyu.

Ministrja Denaj bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi projektet e mbështetura nga FAO në Shqipëri, duke përfshirë iniciativat për bujqësinë dixhitale, fuqizimin e grave në zonat rurale dhe zhvillimin e zinxhirit të vlerave.

Denaj solli në vëmendje edhe një nga projektet e fundit të FAO-s që po zbatohet në verilindje të vendit, në Tropojë.

“Nëpërmjet projektit të implementuar nga FAO, në Tropojë, synojmë të rrisim prodhimtarinë e gështenjave nëpërmjet luftës biologjike kundër dëmtuesve”, tha Denaj.

Sipas saj, bashkëpunimi rajonal dhe mbështetja qendrore e organizatës është thelbësore për të arritur qëllimet e përbashkëta për zhvillimin rural dhe sigurimin e ushqimit për të gjithë.

“Nën konceptin “One health, one world” punojmë për të siguruar shëndetin e bimëve dhe të kafshëve për të garantuar shëndetin e njerëzve duke ofruar ushqim të sigurt për të gjithë”, u shpreh ministrja Denaj./ata